Kos: Shqipëria ka përmbushur IBAR, një hap që mbyll negociatat

0
50

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vlerësuar përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian, duke veçuar Shqipërinë për hapat e fundit të ndërmarrë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, Kos tha se Shqipëria ka shënuar një avancim të rëndësishëm pas përmbushjes së standardeve të përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), duke hapur kështu rrugën për nisjen e procesit të mbylljes së kapitujve të negociatave.

Ajo theksoi se Bashkimi Europian po kalon një moment të favorshëm për zgjerimin dhe u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë këtë mundësi përmes vazhdimit të reformave dhe përafrimit me politikat europiane.

Sipas saj, procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritë, ndërsa institucionet europiane do të vazhdojnë të mbështesin vendet që tregojnë progres konkret në rrugën drejt anëtarësimit.

Kos rikujtoi gjithashtu se liderët e Ballkanit Perëndimor, në Samitin BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat, kanë riafirmuar se integrimi në Bashkimin Europian mbetet prioriteti i tyre strategjik.

Më poshtë fjala e plotë e Marta Kos:

“Vetëm dje, siç e dëgjuam, mbyllëm përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë me Malin e Zi, duke e çuar numrin e kapitujve të mbyllur në rreth gjysmën e tyre. Përparimi i Malit të Zi ka bërë që Këshilli të nisë gjithashtu hartimin e traktatit të anëtarësimit të tij, i pari pas 17 vitesh. Ky do të jetë një brez i ri traktatesh anëtarësimi. Këto janë hapa që nuk i kemi parë që nga koha kur Kroacia negocionte anëtarësimin.

Edhe Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve. Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Duhet të shohim këtë lëvizje përpara nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sot ekziston një dritare mundësie për të avancuar drejt anëtarësimit dhe ne po inkurajojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ta shfrytëzojnë atë.

Në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, dëgjuam angazhime të qarta nga të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor se rruga drejt BE-së është prioriteti i tyre strategjik.

Komisioni Europian është i gatshëm të ecë përpara me të gjitha këto vende, nëse ato përmbushin angazhimet e tyre për reforma dhe tregojnë përafrim të mjaftueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si edhe me politikën e vizave.

E di se mund të mbështetem edhe tek ky Parlament në ndjekjen e një procesi zgjerimi të bazuar rreptësisht në meritë – kjo mbetet ende e vlefshme – që mbështet të gjithë partnerët tanë të zgjerimit në çdo fazë, por që është gjithashtu i qartë dhe i vendosur kur shohim se përparimi është i pamjaftueshëm apo ka regres.

Dhe jam dakord me ju, zoti Weiz: nëse ata po japin rezultate, edhe ne duhet të japim rezultatet tona. Pasi u kemi dhënë statusin e vendit kandidat, ky është një angazhim edhe nga ana jonë.

Prandaj, le t’i mbështesim kudo që është e mundur dhe le të jemi në krahun e tyre ndërsa punojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here