Misioni i NATO’s në Kosovë, KFOR, deklaroi se vendimi i mundshëm për rihapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për automjete duhet të adresojë nevojat e të gjithë komuniteteve në atë pjesë, ndërsa tha se po i ofron mbështetje përpjekjeve diplomatike të Bashkimit Europian për këtë proces. KFOR gjithashtu për statusin e urës udhëzoi që të pyeten BE’ja dhe institucionet e Kosovës.
Alma Baxhaku
KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Misioni i NATO’s tha se kjo po bëhet në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe se kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it. Ky zhvillim erdhi në kohën kur Bashkimi Europian deklaroi se janë plotësuar kushtet për rihapjen e urës për qarkullim të automjeteve.
Në një përgjigje për Gazetën Express, pas takimit të komandantit Ozkan Ulutash dhe përfaqësueses europiane në Kosovw, Eva Palatova, një zyrtar i NATO’s tha se KFOR po e mbështet BE’në në përpjekjet e saj diplomatike për këtë çështje, duke deklaruar se çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës për automjete duhet t’i adresojë nevojat e te gjitha komuniteteve.
“KFOR-i gjithashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme në fushën e sigurisë, në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE-ja të mund të avancojnë”.
Ndërkohë, KFOR në përgjigje udhëzoi që për statusin e urës të pyetet BE’ja e institucionet e Kosovës.
“Për çdo koment të mëtejshëm lidhur me statusin e urës, ju referoj te BE-ja dhe institucionet e Kosovës”.
Për tranzicionin e pranisë së tij mbi Urën e Ibrit, KFOR gjithashtu tha se procesi do të jetë gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe do të jetë “i kthyeshëm” nëse një gjë e tillë kërkohet nga zhvillimet përkatëse të sigurisë.
“Procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.
Misioni i NATO’s në Kosovë gjithashtu thotë se janë përfshirë dhe informuar rregullisht edhe akterët lokalë, përfshirë edhe partinë kryesore të serbëve në Kosovë, Listën Serbe.
Për këtë të fundit, KFOR tha se komandanti Ozkan Ulutash i ka takuar për herë të fundit më 11 gusht.
Përveç kësaj partie, Ulutash po mban kontakte edhe me akterë të tjerë mbi këtë çështje.
“Sa i përket procesit të përgjithshëm të optimizimit, gjeneralmajori Ulutaş, komandanti i misionit të KFOR-it, vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”.
Megjithatë, KFOR tha se prania e tij do të vazhdojë të mbesë në jug e veri të Mitrovicës për nevojat e sigurisë.
“Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it të përcaktuar nga OKB-ja. KFOR-i do të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, dhe do të vazhdojë kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet”.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të monitorojë zhvillimet në terren dhe mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Pas vendimit të KFOR për tranzicion gradual të pranisë mbi Urën e Ibrit, aty u pa prezenca e Policisë së Kosovës, e cila tash e tutje pritet të ketë barrën e garantimit të sigurisë për këtë pjesë.
Një mesazh për këtë institucion erdhi dje nga Komisioni Europian.
Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, në një konferencë për media pasi përsëriti “qëndrimin e qartë” të BE’së për urën se kushtet janë plotësuar për rihapje për automjete, tha:
“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”.
Gjithashtu, BE tha se pret nga institucionet e Kosovës të koordinohet me të gjitha komunitetet.
“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.
Ndërkaq, nga Beogradi u paralajmëruan ankesa të Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se do t’i dërgojë një letër zyrtare Mark Ruttes për hapjen e Urës së Ibrit, ndërsa u ankua për komandantin e KFOR’it.
“Këtë po e bën turku, komandanti i KFOR-it. Sot do t’i shkruaj Mark Rutes dhe shpresoj që t’i përgjigjet letrës sime dhe ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet. Për mua, ky është një turp i madh dhe një zhgënjim. Kjo na tregon se nervozizmi ka hyrë në radhët e tyre, nuk dinë se si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë Kosovën e pavarur”.
Ura e Ibrit, që ishte e hapur për këmbësorë por jo për automjete, shërbeu si simbolikë e ndarjes së qytetit të Mitrovicës.
Në vitin 2024, përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj nxitën kundërshtime nga serbët lokalë, ndërsa Bashkimi Europian i kishte kërkuar koordinim autoriteteve kosovare për ta ndërmarrë një veprim të tillë. Qeveria më pas kishte ndërtuar dy ura paralele me atë kryesoren si alternativë.















































