Karantina disa vjeçare e tre musketierëve të Prizrenit

0
694

Sapo keni parë titullin shumë prej jush, para se të lexoni shkrimin keni filluar të bluani në mendje se cilët mund të jenë tre musketierët e Prizrenit. Madje ndonjë prej jush ka filluar të japë dhe emrat e tre musketierëve, pasi Prizreni në cdo fushë të jetës i ka nga tre musketierë. Për shembull, nëse do ta lexoja unë një titull të tillë do të më shkonte mendja për tre musketierët këngetarë të Prizrenit Agim Tejecin, Besnik Nurkollarin, Hektor Gjurgjiali, të cilët në epoka të ndryshme kanë shkëlqyer me këngët e tyre. Do të mendoja se janë rikthyer me ndonjë koncert të përbashkët në qytet sic është bërë modë këto kohë që artistë të ndryshëm performojnë nëpër qytete. Në fakt nuk do të ishte ide e keqe që tre musketierët këngëtarë të Prizrenit të bënin një koncert të përbashkët, ose pse jo të bënin dhe këngë së bashku. Me siguri si kënga ose koncerti nëse do të jepnin do të bënte jehonë dhe do të ishte një ngjarje e madhe për qytetin. Me këtë rast dhe do të dilnin nga “karantina” disa vjecare e moshës. Edhe nëse nuk do ta bënin koncertin dhe as bashkëpunimin tre musketierët këngëtarë të Prizrenit janë akoma aktivë me këngët e tyre, të cilat vazhdojnë të dëgjohen dhe këndohen nga këngëtarë të rinj. Le t’i lëmë të qetë artistët tanë në jetën e tyre sepse ata e dinë më mirë se unë se cfarë duhet të bëjnë, dhe të mos hallakatem më tej. Tre musketierët të karantinuar prej disa vitesh të Prizrenit janë tre kryetarët e degëve të tre partive më të mëdha të Prizrenit.

I pari është kryetari i VV-së Artan Abrashi. Artani është një nga themeluesit e VV-së, ai djali i vendosur që u pat’ aktivizuar që në ditën e para të VV-së, para se kjo të bëhej parti. Ai që së bashku me Arbërin dhe ndonjë tjetër merrnin pjesë në cdo aksion të VV-së, ai që nuk I lëvizte qerpiku edhe kur përballë kishte policët rumunë të UNMIK-un, ata hijerëndë të EULEX-in dhe më vonë dhe policët e përdorur nga pushtetet në prostestat e dhunshme të VV-së. Artani sot krahas të qenurit kryetar i degës së VV-së në Prizren është dhe deputet. Si deputet, edhe pse ka disa muaj, ka qenë shumë aktiv, por në të gjitha rastet duke folur politikisht, pra ai nuk është preokupuar në asnjë prej daljeve të tij në media ose në përballjet televizive për tema nacionale dhe asnjëherë për temat që preokupojnë qytetarët e Prizrenit. Edhe më i pazëshëm ai duket në parti, ku që prej kur është zgjedhur kryetar, ose që të jemi më të saktë që kur ka marrë VV-ja të qeverisë komunën e Prizrenit, nuk e kemi parë të dalë të mbajë një qëndrim për tema të ndryshme, që për hir të vërtetës kanë qenë të shpeshta. Artani si kryetar i degës së VV-së në Prizren, është një kryetar i shtetur, i cili nëse themi nuk pyetet është pak, pasi ai duket sikur injorohet nga kryetari i Komunës dhe ekipi i tij. Pra Artani është një kryetar fiktiv. Me të drejtë e meriton të jetë njëri prej tre musketierëve të politikës së Prizrenit i futur në karantinë.

Anëtari i dytë i grupit “tre muskutierët” është Anton Quni, kryetar i degës së LDK-së në Prirzen. Antonin gjatë këtyre 100 ditëve edhe mund ta keni parë ndonjëherë ne media në ndonjë aktivitet që ka bërë si ministër, por nuk duhet të harrojmë se ai është figura qëndrore e LDK-së në Prizren. Unë nuk është se jam shumë i vëmendshëm, por të them të drejtën nuk është se nuk i ndjek zhvillimet politike, sidomos kur bëhet fjalë për Prizrenin. Ajo çfarë dua të them është se Anton Quni, në cilësinë e kryetarit të degës së LDK-së, ai përveç se i ngjirur, është treguar dhe shurdhur dhe memec. Imagjino, një ish-konandant i UÇK-në, një politikan që si deputet i ka treguar “dhëmbet” Presidentit Hashim Thaçi, është i përulur me drejtorët e partisë tij. LDK e tij bashkëqeverisë me VV-në e Haskukës në Prizren dhe është përfolur për dhjetëra skandale që lidhen me tendera, korrupsion, për skandale në arsim, shëndetësi dhe ai nuk ka denjuar të thotë një fjalë, ose te mbledhë ndonjëherë drejtorët e LDK-së për të diskutuar se ç’janë këto afera dhe për të analizuar punën e tyre dhe të qeverisë Haskuka. Pra si Anton Quni dhe Artan Abrashi janë treguar të megshtë, të qullët, dhe të injoruar nga kryetari Haskuka dhe drejtorët e partive respektive.

I fundit i musketierëve është kryetari I degës së PDK-së, Shaqir Totaj. Për Totajn nuk mund të themi se ka qenë në karantinë gjatë gjithë kohës, pasi herë pas herë ai ka dalë në ndonjë konferencë për shtyp, por asnjërera prej tyre nuk ka arritur të lërë shenjë. Ndoshta po kërkoj shumë nga Shaqir Totaj dhe kot po i bie në qafë. Aq mund të mbajë. Në fakt asnjëri pre kryetarëve të degëve në Prizren nuk është se mbajnë më shumë se ai. Vetëm po të shohësh artikulimet e tyre në media, është i çalët, dhe nuk rrezaton për asnjë moment statusin të cilët përfaqësojnë. Statura e një kryetari të një dege nuk lejon të futen nga karantinë, as nga Myta and co, as nga drejtorët kryeneç të LDK-së dhe as nga liliputet e PDK-së që si cironka i janë vënë Shaqir Totajt. Derisa tre muskëtierët nuk do të dalin nga karantina, Myta i skandaleve do të qeverisë i qetë, ndoshta dhe një mandat tjetër.

Shkruan: Bashkim RAKAJ

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here