Si mund të mbijetojë një beqar në Shqipëri?!

0
993

Sigurisht, ka edhe vende në të cilat mund të mbijetojë! Kryesisht në qytete të vogla me pretendime të përmasave të vendit ku është strehuar! Vitet e fundit, një beqar mund të mbijetojë edhe në vende turistike, nëse punon në shërbimet e turizmit, edhe pse, rritja e pagave të këtyre të fundit ecën paralelisht me rritjen e çmimeve të qirave. Gjatë verës! Sepse jashtë sezonit askush nuk shkon të jetojë, për shembull, në Himarë! Jo se nuk i pëlqen, por sepse nuk ka me çfarë të jetojë. Edhe nëse shkon pak më afër qytetërimit (i thënçin), në Sarandë apo Vlorë, mundësia për të mbijetuar jashtë sezonit, është e pamundur. Gjithnjë nëse nuk je anëtar partie!

Po në Tiranë? Si mund të mbijetojë një beqar në Tiranë? Sa duhet të paguhet për të përballuar një qira që nuk është më, në asnjë rast, më pak se 400 euro?! Detyrimet e faturat e tjera, si t’i paguaj?

Çfarë të hajë, të veshë dhe në fund, për çfarë i shërben e gjithë kjo sakrificë?

I vetëm, kredi nuk merr dot! Pra mundësia për të pasur ndonjëherë një shtëpi të tijën, një beqar, duke punuar, është zero. Edhe në çift po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Të vetmit të ‘zotë’ në treg janë fëmijët e baballarëve që nuk dihet më se si ua kanë siguruar të ardhmen, sado që kanë harruar t’u mësojnë se si ta menaxhojnë jetën.

A mos erdhi koha, sërish, të martohemi për shkak të varfërisë? Apo ka qenë gjithnjë kjo, përtej riprodhimit, arsyeja pse njerëzit janë martuar?!

Emigrimi i të rinjve, prej vitesh ka krijuar probleme në tregun e punës. Le të hamendësojmë që të paktën gjysma e tyre (minimalisht) janë beqarë!

Studimet llogarisin se popullsia e të rinjve në Shqipëri (14-29 vjeç) është ulur me 2.5% në katër vitet e fundit. Anketat mbi emigrimin potencial kanë zbuluar se 71% e të rinjve po mendojnë për emigracionin në planet e tyre afatshkurtra dhe afatmesme.

Sipas të dhënave të INSTAT nga viti 2011 deri në vitin 2022 kanë emigruar nga vendi mbi 512 mijë persona, ku rreth 70 për qind e tyre ishin të rinj.

Aspektet ekonomike, pasiguritë, po e rrisin çdo ditë këtë prirje. Emigrimi nxitet nga shqetësimet në lidhje me cilësinë e jetës, standardin e arsimit, mungesën e mundësive të punësimit dhe asnjë sigurie për të ardhmen që, në shumicën e rasteve, ka për të qenë e vetmuar, edhe nëse statusi yt ndryshon. 

Si të mos mjaftonte vetmia, duhet të përballesh edhe me të gjitha të papriturat që i teket të të bëjë tregu i pakontrolluar. Nesër nuk i dihet, asnjëherë!

Shkruan: Ani JAUPAJ

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here