I hapet rruga Shqipërisë drejt BE-së, Bullgaria heq veton për Maqedoninë e Veriut

0
306

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka njoftuar se Bullgaria ka vendosur ta heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Kjo i hap rrugë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’i hapin negociatat për anëtarësim në BE.

“Falënderojmë liderin e opozitës Boyko Borissov për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për pranimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut bazuar në propozimin francez që lejon vazhdimin me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Ne presim që qeveria t’i bëjë propozimet e nevojshme Parlamentit sot në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.

Kuvendi i Bullgarisë tani ka votat e nevojshme të votojë për heqjen e vetos dhe pritet që votimi të ndodhë sot. 

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2019 kishte vendosur veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar fillimisht arritjen e një marrëveshjeje për gjuhën e identitetin maqedonas, që sipas Sofjes kanë “rrënjë bullgare”.

Veto e Bullgarisë ndaj Maqedonisë e kishte bllokuar procesin e anëtarësimit edhe për Shqipërinë./KOHA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here