Erling Haaland ka hyrë në histori të futbollit, sa i përket vlerës në treg.
Në fakt, sulmuesi norvegjez i ka thyer krejt rekordet e faqes së specializuar për vlerësimin e lojtarëve – Transfermarkt.
Futbollisti i Manchester Cityt vlerësohet 200 milionë euro, një shifër e paprekur ndonjëherë nga ndonjë lojtar, shkruan “Gazeta Express”.
Madje, këtë shifër nuk e kishin arritur as legjendat e futbollit, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.
Deri tash, Haaland vlerësohej 180 milionë euro, por paraqitjet e jashtëzakonshme të këtij sezoni kanë bërë që vlera e tij të rritet.
Ish-futbollisti i Salzburgut e Borussia Dortmundit i ka realizuar 10 gola në 6 ndeshje të zhvilluara në Premierligë, ndërsa e shënoi edhe një gol në Ligën e Kampionëve.
24 vjeçari e mori primatin, ndërsa deri tash vlerësohej 180 milionë euro.
Haaland ka kontratë me “Citizens” deri në verën e vitit 2027, por nuk përjashtohet mundësia që të largohet nga “Etihad Stadium” më herët.
Interesim për të ka shfaqur Real Madridi, i cili mund të synojë ta sjellë atë në “Santiago Bernabeu” në vitet në vazhdim.
Prapa tij me këtë shifër, pra 180 milionë euro, mbesin tre yjet e Real Madridit, Kylian Mbappe, Vinicius Junior dhe Jude Bellingham.
Natyrisht, edhe vlera e tyre mund të rritet, varësisht prej paraqitjeve që do t’i kenë.
Madje, Vinicius mund ta kapë 200 milionëshin pasi ta fitojë Topin e Artë, ku është favorit absolut.