Gjykata Themelore në Prizren ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Salzen Ajradinit, i cili është arrestuar si i dyshuar në rastin ku punëtori i kompanisë së tij ‘Master Project’ ka marrë lëndime të rënda trupore në vendin e tij të punës, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin avokati i Ajradinit, Blendi Gjini, i cili tha se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës.
“Ka shumë gabime këtu. Gabimi është te arkitekti, inxhinieri që e ka bo planin, jo pronari, punëdhënësi. Ka shumë lëshime nga ana e Prokurorisë. Nuk e kanë vërtetu mirë se kush është përgjegjës që është lëndu ai punëtor”, tha ai për Sinjali.
Tutje mbrojtja e Ajradinit tha se arsyetimi i Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë, ka qenë se punëtori nuk ka qenë i pajisur me mjetet mbrojtëse gjatë orarit të punës.
“Ka thanë që punëtori nuk ka pasë siguri në vendin e punës dhe janë shkelë të drejtat e punëtorëve. Në fakt punëtori ka qenë i veshur me rrobat e punëtorëve, kafkën, të gjitha i ka pasë. Për këtë i kam paraqitë dy prova, ku kam thënë se i dëmtuari që ka marrë lëndime, ka pasë një marrëveshje nëse merr lëndime dhe se ka përvojë shumë kohë në rregullimin e tavaneve. Ne kemi me apelu vendimin e Gjykatës, du me çu landën në Prishtinë”, tha Gjini./Gazeta Sinjali/