Gjurmët e Therandës antike në ujë dhjetë muaj pas inaugurimit si lokalitet

0
201

U deshën gati dhjetë vjet pas zbulimit që më në fund shteti të vërë dorë në gjurmët e Therandës antike në zemër të Prizrenit, të cilat prej kësaj neglizhence pësuan goxha. Por dhjetë muaj pas inaugurimit si lokalitet, po këto gjurmë vazhdojnë të rrezikohen. Tash prej rrjedhës së ujit, për ndaljen e të cilit institucionet ia bartin përgjegjësinë njëri-tjetrit. Ministria e Kulturës shpesh merr hov kur kryen punët e veta. E për dështimet struket prapa komisioneve, institucioneve vartëse a palëve të tjera.

“Kur ka profesionalizëm, kur ka bashkëpunim mes institucioneve, rezultatet nuk mungojnë. Ta gëzojë Prizreni këtë lokalitet, por jo vetëm Prizreni, krejt Kosova!”, do të thoshte në mbrëmjen e 8 korrikut të vitit të kaluar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Po promovohej me pompozitet lokaliteti arkeologjik në qendër të qytetit. Por, siç ndodh jo rrallë, shpejt u ka dalë “boja” urimeve të Ministrisë së Kulturës. Lokaliteti  është kthyer në një lloj kënetishte midis kryeqytetit historik të Kosovës. Tash luhet pingpong institucional.

Shfajësimi i Ministrisë së Kulturës

Ministria e Kulturës shpesh merr hov kur kryen punët e veta. E për dështimet struket prapa komisioneve, institucioneve vartëse a palëve të tjera. Vazhdimisht hyn uji në lokalitet. Bile, nuk ishin bërë as dy muaj prej inaugurimit kur shenjat e Therandës antike përballen me këtë telashe.
Lokaliteti i zbuluar më 2014 ishte lënë pas dore. Ishin bërë grupe punuese e projekte, por nuk ishte finalizuar gjë. Vjet Ministria e Kulturës praktikisht i kishte nxjerrë nga “loja” Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren. Kishte angazhuar dy arkeologë nga këto institucione, Zana Ramën si pjesë të ekipit për konservim dhe Vesel Hoxhën si koordinator të grupeve punëkryese. Drejtori i QRTKI-së, Samir Hoxha – prej më meritorëve për nxjerrjen në pah e mosmbulimit të lokalitetit – dhe arkeologu i IAK-ut Shafi Gashi, i cili e ka hulumtuar këtë lokalitet nuk kishin marrë “erë” në ndërmarrjen e MKRS-së për ta konservuar e restauruar zbulimin antik. Bile, në komunitetin e trashëgimisë kulturore hapësira njihet edhe si “Gropa e Shafiut”.

Në fund të javës së kaluar KOHA ka parë rrjedhjen e ujit në lokalitet, gjë që ka vazhduar. Është marrë vesh se të paktën prej tetorit gjendja është e tillë. Një rrjedhje mbi tokë, nga ai që njihet si kroi i çezmës “Beledije”, ishte ndalur nga intervenimi i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren. Por rrjedhja nëntokësore vazhdon.

Ministria e Kulturës fillimisht ka kthyer një përgjigje krejt të cekët për këtë çështje. Nëpërmjet postës elektronike ka treguar se lokaliteti arkeologjik, duke qenë një hapësirë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore me vlera historike, shkencore, kulturore dhe edukative është konservuar në kuadër të programit “Integrimi i Trashëgimisë Kulturore në Planifikim Hapësinor, i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosova, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë.

“Kurse përgjegjësinë për mirëmbajtjen e kësaj hapësire e ka Komuna e Prizrenit”, shkruhet në përgjigje. Kanë munguar përgjigjet për pyetjet: Përse hapësira arkeologjike vërshohet nga ujërat, sa mjete janë investuar në këtë hapësirë dhe a do të kërkohet përgjegjësi për gjendjen aktuale? Më pas

KOHA ka përsëritur pyetjen e shumës së mjeteve të investuara.

“12 mijë euro, financuar nga MKRS-ja, zbatuar nga UN Habitat”, shkruhet në përgjigjen tjetër.

Memorandumi dhe përgjegjësia e mirëmbajtjes

Muajin e kaluar Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prizrenit kanë nënshkruar një Memorandum të Bashkëpunimit me qëllim koordinimi të veprimeve për të siguruar ruajtje, funksionalizim dhe zhvillim të qëndrueshëm të aseteve të trashëgimisë kulturore. Midis aseteve është edhe lokaliteti arkeologjik, në atë që zyrtarisht është sheshi “Adem Jashari”.  Komuna në këtë rast ka marrë disa përgjegjësi. Megjithëse në Memorandum nuk shkruhet shprehimisht, Komuna ka përgjegjësi për mirëmbajtje. Këtë e edhe e ka thënë ish-ministri i Kulturës, tash nënkryetar i Prizrenit, Kujtim Gashi.

“Ne kemi një Memorandum dhe kemi marrë përgjegjësi për mirëmbajtje. Por problemi me ujin është më i madh dhe përfshihet edhe kompania e ujësjellësit ‘Hidroregjioni Jugor’. Jemi duke punuar në këtë drejtim dhe bashkë me ujësjellësin besojmë se brenda pak ditësh do t’i japim zgjidhje. Me sa duket, duhet bërë një hapje aty për ta evituar atë rrjedhje të ujit”, ka thënë Gashi.

Gatishmëri të lartë verbale ka treguar kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Hidroregjioni Jugor”, Zenel Zenelaj.

“Në rastet kur marrim lajmërim për rrjedhje të ujit, ne jemi të interesuar që sa më shpejt të jetë e mundur ta ndalim humbjen e ujit. Në këtë rast është e çuditshme përse nuk është ndalur ende. Nesër po t’i lajmërojë dikush kompanisë, do të intervenohet menjëherë”, ka thënë Zenelaj, i cili është në pushim këto ditë. Por “Hidroregjioni” deri tash nuk është se nuk ka pasur “haber” për këtë çështje. Të paktën në dy raste i është konfirmuar KOHËS se kësaj kompanie i është bërë e ditur situata verbalisht e po ashtu me shkresa.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Milot Berisha, ka thënë se në tetor të vitit 2023 i janë drejtuar me shkresë kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”. Më pas, sipas tij, i është bërë edhe një shkresë tjetër në dhjetor.

“Çështjen e kemi adresuar te Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit”, ka treguar ai. Në këtë rast IAK-ja kishte marrë përgjigje me shkrim nëpërmjet postës, ku i ishte bërë e ditur se për këtë çështje përgjegjës është “Hidroregjioni Jugor”.

“Lokaliteti vazhdon të rrezikohet nga kjo rrjedhje…”

Pak a shumë të njëjtën gjë e ka thënë edhe arkeologia e IAK-ut, Zana Hoxha, e cila ka qenë pjesë e ekipit për konservimin e strukturave në lokalitet.

“Kemi të bëjmë me rrjedhje nga gypi i ujit dhe ne si institucion u jemi drejtuar kompanisë së ujësjellësit dhe Komunës, të cilat e bëjnë përgjegjëse njëra-tjetrën”, ka thënë ajo. Sipas Ramës, situata duhet të ndërrojë.

“Lokaliteti vazhdon të rrezikohet nga kjo rrjedhje, e cila duhet të sanohet sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë ajo.

Arkeologu i QRTK-së së Prizrenit, Vesel Hoxhaj, i cili qe koordinator i grupeve gjatë restaurimit të lokalitetit ka thënë se problemi është te kompania e Ujësjellësit.

“Gjatë kohës kur kemi punuar ka pasur rrjedhje, ata kanë ardhur dhe e kanë ndalur. Më pas, pasi është inauguruar ka nisur rrjedhja. E kemi pasur një takim bashkë me Milot Berishën dhe ‘Hidroregjionin Jugor’ dhe kanë thënë se duhet ta rregullojnë. Rrjedhja është jashtë lokalitetit, por vjen në lokalitet”, ka thënë ai. Sipas Hoxhajt, për fat të mirë nuk ka pasur temperatura shumë të ulëta gjatë dimrit, pasi përndryshe strukturat do të dëmtoheshin shumë.

Sipas arkeologëve, gjatë gërmimeve me karakter shpëtimi, të zhvilluara para gati një dekade në këtë lokalitet është hasur në dy shtresime kulturore, përkatësisht rrënojat e periudhës klasike romake, të cilat besohet se janë struktura të një vile të shekullit III-IV, si dhe rrënojat e periudhës osmane, të cilat prezantojnë muret e pazarit të bulmetit, i cili ka ekzistuar deri në mesin e shekullit XX.

Lidhur me mbetjen jashtë kontrollit të këtij lokaliteti në vitet e shkuara ka pasur reagime nga aktivistët e shoqërisë civile, sikurse edhe nga Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit, që pati kërkuar mbrojtjen e këtij aseti të trashëgimisë kulturore, me ndërmarrjen e masave adekuate drejt konservimit dhe prezantimit të tij.

Këshilli në vitin 2020 kishte konstatuar se mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate.

Në shkresën dërguar Institutit Arkeologjik të Kosovës, që funksionon në kuadër të MKRS-së dhe organeve komunale, pati përkujtuar se në fund të vitit 2014, gjatë gërmimeve të dheut për ndërtimin e një fontane si pjesë të “Sheshit të Lidhjes”, është zbuluar lokaliteti arkeologjik. Sipas KTK-së, zvarritja disavjeçare lidhur me këtë projekt ka bërë që si rezultat i temperaturave të larta në verë dhe të ulëta në dimër mbetjet arkeologjike të shkatërrohen deri në masë të mosnjohjes.

“Efektet negative atmosferike, veçanërisht dielli i fortë, ka rezultuar me tharje dhe plasaritje të tullave, llaçit gëlqeror dhe higroskopik (horasan), që kanë qenë lidhës të muratimit dhe tani më janë jofunksionale. Lagështia e mbledhur në pjesën e themeleve ka ndikuar në formimin e mykut dhe kripërave që kanë shpejtuar shkatërrimin e objektit. E gjithë kjo situatë gjatë viteve është shoqëruar me rritjen e pakontrolluar të vegjetacionit që më tej dekompozon mbetjet e llacit dhe shtresave të lokalitetit”, thuhej në shkresë, teksa më tej shtohej se lokaliteti ngadalë, por sigurt, është shndërruar në një deponi mbeturinash.

Tash pak muaj pas inaugurimit ka nisur të marrë pamje të kënetës./Koha/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here