Një version i ri i teknologjisë VAR pritet të aplikohet në futbollin evropian, pasi ka marrë dritën jeshile nga FIFA.
Edhe pse sistemi VAR tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e futbollit modern dhe përdoret në shumë gara ndërkombëtare, ai vazhdon të jetë objekt diskutimesh për mënyrën e funksionimit dhe ndikimin që ka në vendimet e gjyqtarëve.
VAR-i është i pranishëm në ligat më prestigjioze evropiane, por së shpejti një variant i ri i tij do të përdoret në kampionatin elitar të Uellsit, Cymru Premier, nga Federata e Futbollit e Uellsit.
Duke nisur nga sezoni 2026/27, në këtë ligë do të aplikohet sistemi “VAR Light”, i cili konsiderohet një version më i thjeshtuar i teknologjisë aktuale VAR që përdoret në kompeticione të ndryshme në botë.
Edhe ky sistem do të ketë të njëjtin qëllim kryesor: korrigjimin e gabimeve të dukshme dhe ndërhyrjen në situatat kur gjyqtari kryesor nuk ka arritur ta vërejë një incident të rëndësishëm gjatë aksionit.
Sikurse VAR-i tradicional, edhe VAR Light do të funksionojë me gjyqtarë të vendosur në dhomën e kontrollit në stadium, të cilët do të monitorojnë çdo ndeshje.
Megjithatë, ndryshimi më i madh lidhet me numrin e kamerave. Ky sistem do të përdorë vetëm katër kamera – dy prej tyre në vijën e mesit të fushës dhe nga një në secilën zonë të penalltisë.
VAR Light do të ketë kompetencë të ndërhyjë vetëm në disa raste specifike: për golat dhe golat e anuluar, situatat në zonën e rreptësisë, kartonët e kuq direkt, rastet kur jepet gabimisht një karton i dytë i verdhë dhe gabimet në identifikimin e lojtarit të ndëshkuar.
Ky sistem nuk do të përdoret për vendimet e zakonshme me karton të verdhë, përveç rasteve kur një situatë mund të ndryshojë në karton të kuq. Po ashtu, nuk do të ketë përdorim të vijave teknologjike për rastet e diskutueshme të pozicionit jashtë loje, por vetëm për ato raste ku shkelja është e qartë.
Edhe për teknologjinë e vijës së portës do të ketë kufizime, pasi VAR Light nuk do të ndërhyjë në situata të paqarta. Nëse një incident nuk mund të identifikohet qartë nga pamjet e kamerave në dispozicion, ai nuk do të rishikohet.
“Është e rëndësishme të theksohet se VAR Light nuk është krijuar për të rigjykuar ndeshjen. Gjyqtari i VAR-it mund të bëjë vetëm rekomandime, ndërsa gjyqtari kryesor në fushë merr gjithmonë vendimin përfundimtar pasi ta ketë rishikuar incidentin në monitorin pranë fushës”, thuhej në njoftim.














































