Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prizren, ku një grua dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 35-vjeçarja është dërguar në këtë qendër si pasojë e gjendjes shëndetësore, pasi ka tentuar të bëjë vetëvrasje duke konsumuar preparate higjienike.
Pas intervenimit të stafit shëndetësor, gjendja e viktimës është stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje në tentativë’.