E konfirmon Prokuroria në Prizren, kanë filluar hetimet për konkursin për ‘Doktor Stomatolog’

0
513

Lajmi i publikuar se është anuluar konkursi për pozitën ‘Doktor Stomatolog’ nga Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Komunën e Prizrenit, ka shkaktuar reagimin e opozitës në këtë qytet, dhe jo vetëm.

Pak ditë pa u bërë njëmbëdhjetë muaj nga data kur janë testuar mbi tridhjetë kandidatë për pozitën e lartëshënuar, ka ardhur njoftimi për anulimin e procedurave të rekrutimit, me arsyetimin se kanë dhënë dorëheqje tre anëtarë të komisionit vlerësues.

Ndërkaq, dje gjatë ditës, Fejzë Kabashi, njëri nga kandidatët që ka aplikuar dhe ju ka nënshtruar testimit me shkrim për pozitën e lartëshënuar, në rrjetet sociale ka bërë me dije se për konkursin në fjalë kanë filluar hetimet nga Prokuroria Themelore në Prizren.

“Pas disa prononcimeve publike në profilin tim dhe mediume lokale e nacionale, për të marrë një përgjigje për rezultatin e testit të mbajtur me 17 Qershor 2022 në konkursin e organizuar nga Komuna e Prizrenit, si dhe kërkesën me shkrim për këtë qëllim, prap nuk morra as një përgjigje dhe si rezultat sot me 10.05.2023 iu drejtova zyreve të hetuesisë dhe aty më dhanë informaten se për këtë çështje është pregaditur një lënde dhe ajo ndodhet në #Prokurori. Në takimin që e bëra në Prokurori m’u konfirmua se zyrtarisht ky institucion i drejtësisë tashmë është duke e zhvilluar hetimin dhe përgaditjen e #Aktakuzës sipas procedurave që egzistojnë!

Tashmë edhe unë nga ky moment pres që institucionet e drejtësisë të zbardhin fatin e këtij konkursi”, ka shkruar dje Kabashi në profilin e tij në ‘facebook’.

Si rrjedhojë, 04 Online i është drejtuar Zyrës për Informim dhe Monitorim të Mediave pranë Prokurorisë Themelore në Prizren, për të marrë konfirmimin se a kanë filluar hetimet për konkursin në fjalë dhe ndaj kujt janë duke u drejtuar këto hetime. Kështu që, Fitore Mehmeti, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave pranë kësaj prokurorie, ka bërë me dije se rasti në fjalë aktualisht është në fazën e hetimeve fillestare.

“Referuar pyetjeve tuaja, Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se rasti në fjalë aktualisht është në fazën e hetimeve fillestare. Prokurori i shtetit brenda afateve ligjore do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Meqenëse, rasti është në fazën fillestare të hetimeve, nuk mund t’ju japim informata tjera”, ka konfirmuar Mehmeti për 04 Online.

Ndaj zgjatjes së procedurave rreth këtij konkursi, ka patur kritika edhe nga kandidatë të tjerë dhe subjektet opozitare./04 Online

Leave a Reply