“Djali im duhet ta ndërpresësh shkollën, të shkosh në kurbet e të na ndihmosh”

0
306

Përshkrim i orës mësimore nga mësimdhënësi Selim Tahiri, se si nje nxënësi i kanë thënë prindërit se duhet ta ndërpres shkollën e të shkojë në kurbet.

Mëmëdhe quhet toka
Ku më ka rënë koka
Ku kam dashur mëmë e atë
Ku më njeh dhe guri i thatë.

Shpesh na ndodh që planin mësimor të mos mund ta realizojmë ashtu siç e kemi planifikuar. Kjo për arsye nga më të ndryshmet. E ndonjëherë na ndodh që ndonjë ide e nxënësve, sugjerim apo bisedë e shkurtër të na bëhet pjesë e planit ditor.

E premte, 2 dhjetor, 2022.

E shënova orën në ditar.

Njësia mësimore: Eseja argumentuese.

Një nxënës më tregoi se nuk ndihej mirë, nuk kishte fjetur tërë natën dhe se ishte shumë i mërzitur. E pyeta pse, dhe ai, filloi menjëherë rrëfimin e tij;

“Ishte ora 9, në mbrëmje. Po komunikoja me telefon me shokun tim të ngushtë e po qeshja me lot. Babi më thirri me një zë të çuditshëm. U drodha. Shprehja e fytyrës së tij më la të kuptohej se diçka nuk ishte në rregull:

“Pak më herët, folëm me dajën tënd në telefon dhe vendosëm që menjëherë pas Vitit të Ri, ti të kalosh kufirin ilegalisht dhe të shkosh në Itali. Duhet të shkosh atje, sa je pa i mbushur 18 vjet. Pas dy vitesh do t’i marrësh dokumentet. Unë tani jam i moshuar. Këtu punoj ngapak por ti e di se sa fitoj.Tani do të varemi nga ti”.

Pas tij filloi nëna, “Djali jem, tani je bërë burrë. Nëse don mos me na lanë pa bukë, hapi sytë, puno! Krejt sytë n’ty i kena!”.

Mendja më shkoi menjëherë te vëllai i vogël dhjetëvjeçar. Me të rrimë, luajmë, qeshim e flemë bashkë. Mendova…si do t’ia bëj ai pa mua? E shikova. Ia lexova mendimet. Edhe ai po mendonte njëjtë si unë.

Nuk fola asgjë. Dola jashtë se isha gati të qaja. U mërzita aq shumë sa më dukej sikur po nisesha në ato momente. E gjithë jeta ime m’u shfaq para syve. Shkolla, klasa e parë, shokët e fëmijërisë.

E pyesja veten si do t’ia bëj atje pa babin, pa mamin e sidomos pa vëllain e vogël.
Jam shumë i lidhur me ta. Në çdo mbrëmje e pres babin me gëzim, e pyes a je lodhur, si kalove në punë? Me nënën flas çdo moment. I tregoj ku jam, kur vonohem, kur kam ndonjë hall. Kur punoja verës kamarier, ajo zgjohej me mua në orën katër të mëngjesit e nuk flinte derisa kthehesha natën vonë.

Nuk e di si t’ia bëj. Më duket vetja shumë i ri për të marrë rrugën e kurbetit por as prindërit nuk dua t’i zhgënjej. Si thua, ti prof? Sikur t’ishe në vendin tim, si do të veproje?
I thashë se përgjigjn do t’ia ipja pak më vonë.

E shënova një fjali në tabelë, ‘Pse duhet të qëndroj këtu’? Kërkova prej nxënësve që të paktën të më jepnin pesë arsye se pse nuk duhet ta braktisin Kosovën. U mbush tabela me argumente shumë interesante.

Para se të binte zilja iu afrova Arianit:

“Kur unë kam qenë në moshën tënde, jeta ka qenë shumë e rëndë. Kushtet e jetës kanë qenë tepër të vështira. Kemi qenë edhe të varfër edhe nën okupim. Për të shkuar në Prishtinë, duhet të kalonim shumë postblloqe të policisë. Na kontrollonin, na maltretonin e na rrihnin. Por, as unë, as shumë shokë të mi, nuk jemi dorëzuar. Kemi vazhduar studimet, kemi diplomuar dhe tani jemi këtu ku jemi. Ajo më e rëndësishmja është se ne jemi këtu, e duam punën, e duam Kosovën. Mund të mos na pëlqejë, por ky është vendi ynë, mëmëdheu. A të kujtohen vargjet e Çajupit?

Mëmëdhe quhet toka
Ku më ka rënë koka
Ku kam dashur mëmë e atë
Ku më njeh dhe guri i thatë.

Ti vetë e the se je shumë i ri për ta marrë rrugën e kurbetit. Luti prindërit që mos të ta ndërpresin shkollën.

Zilja ra. E pyeta Arianin nëse e kishte marrë përgjigjen time. Ai vetëm më buzëqeshi. Dukej i mërzitur, i hutuar…

Leave a Reply