Dita e 15 e barrikadave- Kosova paralajmëron heqjen e tyre, KFOR-i kërkon dialog

0
162

E shtuna e 10 dhjetorit e gjeti veriun e vendit nën tensione. Në shenjë revolte për arrestimin e ish-policit serb që dyshohet për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor, Dejan Pantiq, grupe të serbëve lokalë atje, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, raporton Gazeta Sinjali.

Situata atje po monitorohet nga afër edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe nga misioni i NATO-s, KFOR.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media në Mitrovicë dje tha se e kanë mundësinë për heqjen e barrikadave, nëse KFOR-i nuk vepron sa më shpejt.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.

Duke iu referuar krizës aktuale të sigurisë në veri të Kosovës, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia ka thënë të premtën mbrëma se ai mbetet në kontakt të afërt me të gjitha palët e përfshira në proces.

Ai ka thënë se KFOR-i mbështetë dialogun për të gjetur marrëveshje me qëllim të zbutjes së tensioneve në veri.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ristuccias.

KFOR-i e ka konfirmuar edhe më herët që ka rritur prezencën dhe patrullimet në muajt e fundit.

“Mbesim vigjilentë dhe plotësisht të aftë për ta përmbushur mandatin që bie nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të gjitha komunitetet në Kosovës. Zgjidhjet duhet të gjenden nëpërmjet dialogut”, përfundon deklarata e komandantit të KFOR-it.

Edhe Bashkimi Evropian të enjten bëri thirrje për heqjen e barrikadave nga pjesa veriore e Kosovës dhe tha se është i angazhuar në lehtësimin e shtendosjes së situatës në këtë pjesë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët për të shtendosur situatën në pjesën veriore me qëllim të sigurimit të një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Bashkimi Evropian, së bashku me partnerët e tij, vazhdon të jetë plotësisht i angazhuar në lehtësimin e shtendosjes së situatës në pjesën veriore të Kosovës me qëllim që të sigurohet një mjedis i qetë dhe i sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ishte i qartë, javën e kaluar, se barrikadat duhet të hiqen. Përfaqësuesi i Lartë dhe i dërguari i Posaçëm i BE-së, Lajçak, janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët dhe do të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë, ashtu siç ka thënë edhe Përfaqësuesi i Lartë”, tha Stano.

Një javë më parë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha përpara një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së se është e papranueshme bllokada e rrugëve dhe personat e armatosur që shëtisin rrugëve dhe këtë nuk do ta pranojnë nga partnerët që aspirojnë të ardhmen evropiane.

Ndërkaq, të martën shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka njoftuar se ky mision i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Policisë së Kosovës për të furnizuar me ushqime e veshmbathje oficerëve të Policisë së Kosovës në pikat kufitare në Jarinjë.

Leave a Reply