Një ndryshim i theksuar i kushteve atmosferike pritet të përfshijë vendin gjatë ditës së sotme, si pasojë e depërtimit të masave të ftohta polare. Këto masa do të ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e motit, duke sjellë vranësira të dendura dhe reshje të herëpashershme shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimeve, në zonat malore reshjet do të shndërrohen në borë, ndërsa në disa pjesë të ulëta të Rrafshit të Kosovës nuk përjashtohet mundësia e paraqitjes së fjollave të borës apo shqotës.
Ndërkohë, era do të fryjë nga veriu me intensitet të shtuar, duke arritur shpejtësi nga 15 deri në 45 km/h, çka pritet të ndikojë në ndjesinë më të ulët të temperaturave.
Temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme, me vlerat minimale që do të lëvizin nga 2 deri në 8 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të mbeten në intervalin prej 4 deri në 8 gradë Celsius, duke konfirmuar kështu një ditë tipike dimërore në mes të sezonit pranveror./04 Online















































