”Defender Europe ’23”, Kurti: Demokracia e vlerat njerëzore më shumë se kurrë kanë nevojë për ushtri

0
363

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Defender Europe ‘23” është ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.

Kurti ka thënë se është nder që Kosova për herë të dytë është në mesin e vendeve organizatore të kësaj stërvitje.

Ai ka thënë se është dëshmi për vullnetin që ka Kosova për të forcuar sistemin mbrojtës, por edhe përkushtimin e palëkundur të saj për të qenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së përbashkët të shteteve që përqafojnë vlerat demokratike.

Kurti gjatë fjalimit të tij e ka quajtur heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, si një prej strategëve më të njohur ushtarak që ka njohur njerëzimi.

“Mbi 1300 ushtarakë të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s e vendeve partnere të SHBA-së. FSK-ja është e katërta në këtë ushtrim për nga numri i ushtarëve pjesëmarrës. Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përfaqfojnë vlerat demokratike. Siguria e kontinentit evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e do – të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, paqja dhe demokracia”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se “Defender Europe ‘23” po zhvillohet në një realitet më të tensionuar, 15 muaj pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Si e tillë ka të bëjë jo vetëm me të ardhmen e Evropës, por mbarë botës. Përgatitjet për t’u përballur me kërcënimet e njohura dhe ato të paparashikueshme janë të domosdoshme. Ashtu si është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake, e që janë objektivat kryesore të ‘Defender Europe ‘23’”, ka thënë Kurti. “Edhe ky togfjalëshi ‘stronger together’, bashkë më të fortë, është veçse variacioni e jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut, bashkimi bën fuqinë. Demokracia, shoqëria, e vlerat njerëzore kanë nevojë më shumë se kurrë për ushtrinë. Sepse, demokracia është sistemi më i brishtë, sepse është sistemi më i hapur. Duke mos i harruar mësimet nga historia jonë kombëtar dhe ajo e mbarë njerëzimit, të jemi të bashkuar me vullnet e disiplinë më të lartë në zhvillimin e përmbylljen me sukses të këtij ushtrimi kaq të rëndësishëm për gjithë ne”, tha Kurti./Koha

Leave a Reply