De-eskalimi i situatës në veri të Kosovës është krejtësisht në dorë të ndërkombëtarëve

0
380

De-eskalimi i situatës në veri të Kosovës është krejtësisht në dorë të ndërkombëtarëve. Ata duhet t’u drejtohen serbeve atje e t’u thonë se:

1. duhet ta njihni shtetin e Kosovës;

2. nuk mund të pretendoni që Kosova është Serbi, por shtet pavarur i të gjithë qytetarëve;

3. duhet ta respektoni ligjin dhe t’i paguani taksat;

4. duhet ta vendosni flamurin shtetëror të Kosovës në institucionet publike, e t’i hiqni flamujt kombëtarë siç kanë bërë edhe shumica shqiptare;

5. duhet të organizoheni në parti politike demokratike e të merrni pjesë në zgjedhje për ta përmirësuar qeverisjen e komunave tuaja;

6. nuk duhet të përfaqësoheni nga eksponentë të krimit dhe nga parti që nuk e njohin realitetin në Kosovë, sepse ata ju instrumentalizojnë për qëllime të jashtme;

7. duhet të merrni pjesë në jetën institucionale e politike që kushtetuta e Kosovës e ka garantuar veçanërisht për serbët;

8. duhet ta respektoni kushtetutën sepse atë e kemi shkruar ne ndërkombëtarët veçanërisht për ju serbët; etj.

Asnjëherë ndërkombëtarët nuk i kemi dëgjuar t’u drejtohen serbëve në këtë mënyrë. Ata kanë heshtur kur në sy të misioneve të tyre (KFOR & EULEX) janë zhvilluar veprimtari parapolitike e kriminale në veri. Ndërkombëtarët kanë kërkuar stardarde demokratike në çdo segment të shtetësisë së Kosovës, kur bëhej fjalë për shqiptarët, por kanë toleruar që në praninë e tyre krimi i Beogradit ta qeverisë veriun. Kosova s’mund të jetë shtet demokratik e europian në disa pjesë, e në pjesë të tjera shtet i tipit mafioz si Serbia. Pra, de-eskalimin duhet ta bëjnë ata që e kanë toleruar eskalimin për tashmë 2 dekada. Qeveria e Kosovës nuk mund ta ndjekë shembullin e tyre, sepse Kosova nuk është Mision i Përkohshëm, por shtet i përhershëm në krejt territorin e vet.

Shkruan: Donik SALLOVA

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply