Bilçik për agresionin në Banjskë: Sytë janë drejtuar nga Beogradi

0
182

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë dhe se sipas tij nuk ka plan B për këtë proces.

“Ne gjithmonë kemi thënë se e vetmja rrugë përpara në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është dialogu dhe se të gjitha alternativat e tjera janë tragjike”, theksoi Bilçik në një intervistë për Kosovo Online.

Sa i përket agresionit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ai deklaroi se kjo ngjarje është shembull se çfarë mund të ndodhë nëse dështon politika, dialogu dhe komunikimi.

“Dhe kjo është potencialisht shumë shpërthyese, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht kur flasim për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” tha Bilçik.

“Pas Banjskës, të gjithë sytë janë të drejtuar edhe nga Beogradi dhe ne do t’i kushtojmë vëmendje kësaj në rezolutën e Parlamentit Evropian”, tha Bilçik dhe shtoi se nuk e di se cili do të jetë versioni përfundimtar.

Ai bëri të ditur se në rezolutë do të trajtohen masa kufizuese, por shpjegoi se grupi i tij politik është në favor të miratimit të masave kufizuese ndaj Serbisë dhe Beogradit vetëm nëse ka lidhje të qartë mes ngjarjeve në Banjskë dhe lidershipit në Beograd.

“Kjo nuk është vërtetuar deri më tani”, theksoi Bilçik dhe shtoi se Parlamenti Evropian do të ketë një rezolutë politike, por se vendimi për çdo masë ndaj Beogradit është në duart e anëtarëve të BE-së dhe Këshillit të BE-së.

“Është shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Duhet të marrim të gjitha faktet, drejtësinë dhe hetimi të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithashtu, koha është e një rëndësie vendimtare”, vuri në dukje Bilcik.

Leave a Reply