Një aksion policor është zhvilluar mbrëmjen e 8 tetorit në Suharekë, ku gjatë bastisjes së dy lokacioneve që lidhen me dy vëllezër janë gjetur substancë e dyshuar narkotike, para të gatshme, municion dhe një kartëmonedhë që dyshohet se është e falsifikuar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 21:00, hetuesit për narkotikë, së bashku me njësitë e tjera relevante, kanë zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prizren dhe kanë kryer kontrolle në dy shtëpi banimi që lidhen me Edon Elezin dhe Egzon Elezin.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar tri doza me substancë të dyshuar kokainë, me peshë totale rreth 0.80 gramë.
Po ashtu, janë sekuestruar 1,000 euro para të gatshme, disa qese që dyshohet se shërbenin për paketimin e substancave narkotike, si dhe dy palë gërshërë që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e dozave.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetuesit kanë gjetur edhe tre fishekë të armës së zjarrit, një kartëmonedhë prej 50 eurosh që dyshohet se është e falsifikuar, si dhe dy telefona mobilë.
Në kuadër të aksionit është arrestuar Edon Elezi, i cili është shoqëruar për intervistim në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Ndërkohë, Egzon Elezi nuk është gjetur në shtëpi gjatë bastisjes, ndërsa ndaj tij pritet të ndërmerren veprime të tjera hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Edon Elezi është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet nën dyshimet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe falsifikim të parasë, ndërsa hetimet po vazhdojnë./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














































