Avionët nga Kosova “së shpejti përmes Shqipërisë”, ulet çmimi i biletave

0
893

Që prej fundit të luftës në 1999, fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës realizohen vetëm përmes korridorit ajror që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Por në rastin e hapjes së korridorit ajror me Shqipërinë, koha e fluturimit me avion nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Europian do të reduktohej ndjeshëm dhe me shkurtimin e kohës  deri në 30 minuta për vajtje-ardhje,  do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave, pohoi për REL eksperti i avacionit, Albion Idrizi.

Aktualisht çmimi mestar i një bilete një-udhëtimëshe nga Kosova në shtetet e bllokut europian është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind.

Marrëveshja e Kosovës me Shqipërinë për shfrytëzimin e korridorit ajror është arritur në vitin 2020, por nuk është vënë kurrë në jetë. Ajo parashikon hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër. Nga sa shpjegon Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që duhet të miratoheshin nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, Bujar Ejupi, thotë tani se KFOR-i e ka dhënë lejen për shfrytëzimin e pikave Kukad dhe Arbër, dhe se ato pritet të lëshohen për shfrytëzim “së shpejti”. Edhe KFOR-i vetë e konfirmon se e ka aprovuar mundësinë e hapjes së korridorit ajror, por shton se pikat Kukad dhe Arbër janë në territorin e Shqipërisë, ndërsa thekson se institucionet e aviacionit shqiptar janë autoritetet përgjegjëse për planifikimin dhe menaxhimin e hapësirës ajrore./TCh

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here