Shumë njerëz e konsiderojnë dushin pas palestrës një domosdoshmëri, jo vetëm për ndjenjën e freskisë, por edhe për arsye higjienike.
Megjithatë, një mjek spanjoll ngre një pikëpyetje të rëndësishme: a është vërtet e shëndetshme të bësh dush menjëherë pas ushtrimeve?
Sipas Dr. José Manuel Felices, radiolog dhe lektor universitar, bërja e dushit menjëherë pas aktivitetit fizik nuk është ideja më e mirë.
Në një intervistë për botimin spanjoll të Men’s Health, ai thotë se kjo praktikë mund të ndikojë negativisht në proceset natyrore të trupit.
Gjatë ushtrimeve, temperatura e trupit rritet dhe trupi reagon duke zgjeruar enët e gjakut dhe prodhuar djersë, e cila ndihmon në ftohjen natyrale të trupit.
Por nëse pas stërvitjes shkojmë menjëherë në dush, ndërpresim këtë proces natyror. Sipas Felices, kjo mund të çojë në marramendje, madje edhe në humbje të vetëdijes në disa raste.
Për më tepër, ai thekson se djersa nuk është thjesht lagështi e pakëndshme, ajo përmban toksina që trupi nxjerr përmes lëkurës. Bërja e menjëhershme e dushit mund të pengojë eliminimin e plotë të këtyre substancave, duke krijuar ndjesinë që ‘trupi vazhdon të djersijë’ edhe pas larjes.
Felices përmend gjithashtu ndikimin që ka dushi i menjëhershëm në ekuilibrin natyror të pH-së së lëkurës. Djersa ka një pH pak acid, i cili ndihmon në mbrojtjen kundër baktereve. Larja e menjëhershme me sapunë alkalinë mund ta prishë këtë ekuilibër, duke e bërë lëkurën më të ndjeshme dhe më të prirur ndaj irritimeve.
Por, çfarë rekomandon ai?
Mjeku këshillon të prisni të paktën 15 minuta pas përfundimit të stërvitjes për të bërë dush. Gjatë kësaj kohe, ai sugjeron që të hidratoheni, të merrni frymë thellë, të shtriheni ose të shoqëroheni me të tjerët në palestër. Vetëm pas këtij momenti, trupi është gati për një dush të shëndetshëm dhe të nevojshëm.