Asambleistët e Prizrenit kërkojnë nga KEDS të intervenojnë në shtyllat elektrike për të parandaluar rreziqet në të ardhmen

0
141

Gjendja aktuale e shtyllave të rrjetit energjetik në rrugët e lagjes “Arbanë” në Prizren, por edhe në lokalitetet tjera, sipas anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit është një shqetësim i vazhdueshëm për qytetarët.

Ata kanë kërkuar veprime konkrete nga përgjegjësit në mënyrë që të shmanget rreziku për pronat dhe jetët e qytetarëve në këtë lagje, por edhe në vendbanimet tjera të komunës së Prizrenit.

Kuvendari i AAK-së, Bajram Kastrati thotë se ka vite që ekziston ky problem, ku shtyllat e rrjetit energjetik janë të ngarkuara me kabllo të shumta, e në raste të pa izoluara, përderisa ka edhe shtylla të vjetruara. Ai pohon se duhet angazhim më i madh sa i përket mirëmbajtjes së rrjetit energjetik. Sipas tij shqetësimet në këtë drejtim janë adresuar edhe nga zyrtarët e qeverisë komunale. Kastrati ka theksuar se lidhur me këtë çështje, në seancën e fundit të KK-së ka marrë edhe përkrahjen e të gjithë kuvendarëve, për të dërguar një kërkesë të përbashkët tek përgjegjësit për marrjen e masave.

Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri në Komunën e Prizrenit ka bërë të ditur se ka adresuar kërkesa në KEDS për ndërrimin e shtyllave elektrike që paraqesin rrezikshmëri, por se deri më tani nuk kanë hasur në mirëkuptim për veprim të menjëhershëm në këtë drejtim./TvPz

Leave a Reply