Arrestimi i dy zyrtarëve të Suharekës, Muharremaj: S’ka shanse të jenë as 74 mijë e as 700 apo 7 euro, nuk ka dëm të Komunës

0
707

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka folur për arrestimin e Enver Shabanit, drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashit, zyrtar i kësaj komune, duke thënë se beson që nuk ka shanse t’i jetë shkaktuar dëm 74 mijë euro komunës me të cilën ai udhëheq, madje as 7 euro.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Muharremaj tha se nuk ka asnjë lajm zyrtar për këtë çështje, por vetëm është informuar nga mediet.

“Njëherë më së pari, qysh jeni informu ju jam informuar edhe unë, përmes portaleve dhe gazetave. Nuk kam asnjë lajm zyrtar edhe unë si kryetar i Komunë as 74 mijë euro, as 700 euro, as 70 euro nuk janë dëm të Komunës, kaq di me ju thanë. Edhe njëherë po them, nuk ka shancë as 74 mijë, as 7 mijë, as 700, as 7 euro, kaq”, tha Muharremaj.

Muharremaj tha se janë të hapur të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë dhe se në rast se dy zyrtarët kanë keqpërdorur detyrën, do të ballafaqohen me veprimet e tyre.

“E në qoftë se është hangër pitja, tepsia është aty. Ky është mendimi jem si kryetar i Komunës. Ne zbatojmë ligjet që janë në fuqi, këto janë organet e shtetit të Republikës së Kosovës, jemi të hapur me ta 24 orë, e kemi obligim dhe vazhdojmë me punu. Ata janë kanë dyshues, por unë po them që nuk ka shanse”, shtoi kryetari.

Leave a Reply