Analistët evropianë: Vuçiqi po tërheq paralele ndërmjet Kosovës dhe Tajvanit

0
118

Mbështetjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ndaj pretendimeve të Kinës mbi Tajvanin si pjesë e territorit të saj, analistët evropianë e kanë parë si kërkesë mbështetjeje nga Kina për pretendimin e Serbisë ndaj Kosovës.

“Sigurisht, kjo është pjesë e ekuacionit”, ka thënë për “Zërin e Amerikës”, analisti politik Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit me seli në Berlin.

“Për sa kohë që Vuçiqi ka liri veprimi rreth Kosovës, për shkak se perëndimi nuk është i vendosur për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë njohjen formale të Kosovës, Vuçiqi do të vazhdojë të përdorë marrëdhëniet e tij me Pekinin dhe Moskën për të ruajtur hapësirën e manovrimit”, ka shtuar ai.

Analisti Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri, ka thënë se deklarimi i Vuçiqit nuk paraqet befasi dhe se qëndrimi ndaj Tajvanit ka kuptim për disa arsye.

“Së pari, ai tërheq në mënyrë të qartë një paralele ndërmjet Kosovës dhe Tajvanit. Nëse Kina pretendon Tajvanin, po ashtu edhe Serbia pretendon Kosovën dhe është e drejta e Serbisë ta rimarrë atë. Natyrisht, ka dallime të rëndësishme, por është e qartë se Vuçiqi kishte në mendje Kosovën kur e bëri deklaratën”, tha Bieber duke nënvizuar se ai mbështetet në Kinën për përkrahjen e Serbisë rreth Kosovës.

Presidenti serb paralajmëroi vizitë të udhëheqësit kinez Xi Jinping gjatë këtij viti në Serbi, por pa dhënë ndonjë datë të caktuar. Vizita do të pasojë marrëveshjen për tregti të lirë që palët nënshkruan në tetor të vitit të kaluar gatë vizitës së presidentit Vuçiq në Kinë në kuadër të forumin e tretë “Një Brez një Rrugë”. Gjatë intervistës me CGTN presidenti serb hodhi poshtë vlerësimet rreth “kurthit të borxheve”, që kanë përcjellë investimet kineze në Ballkanin Perëndimor.

Deklarimet e tij bëhen vetëm pak ditë para takimit të radhës mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet të enjten në Tiranë. Plani i hartuar nga Komisioni Evropian përfshinë një paketë me 6 miliardë euro investime, 4 nga të cilat në formë kredie të volitshme për gjatë vendet që aspirojnë integrimin. Presidentja e Komisioni Ursula Von der Leyen, ka deklaruar se nëse zbatohet, plani ka mundësitë që të dyfishojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor brenda një dekade.

Leave a Reply