A do ta bëjë edhe qeverinë e re më 6 gusht a po do të rrijë ende si “Kryeministër në detyrë”, Kurti s’i zbulon planet

0
48

Votat për formimin e Qeverisë i kanë dhe madje iu teprojnë. Por, krerët në detyrë të shtetit, bashkëpartiakët Albulena Haxhiu e Albin Kurti, dje s’treguan nëse më 6 gusht do të formojnë edhe qeverinë e re. Në deklarimet e tyre, të dy folën për përgjegjësinë që kanë të gjitha partitë për zgjedhjen e Presidentit.

Gazeta Express

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e caktoi 6 gushtin si datë për mbajtjen e seancës konstituive, një ditë para përfundimit të afatit kushtetues.

Meqë VV pritet t’i ketë numrat Haxhiu teorikisht mund ta mandatojë Kurtin për formimin e qeverisë të njëjtën ditë, në një seancë tjetër ku do të zgjidhej qeveria.

Zgjedhjen e kësaj date krejt në fund të afatit 30-ditor kushtetues ajo e arsyetoi me dhënien e kohës së bollshme partive politike për një marrëveshje për Presidentin meqë Lëvizja Vetëvendosje këtë herë tha se nuk i ka problem votat për Kuvendin e Qeverinë.

Megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, kreu i kësaj partie, Albin Kurti, zhvilloi vetëm dy takime për një ditë. Një me Bedri Hamzën e PDK’së e një me Lumir Abdixhikun e LDK’së, me të cilin pati dakordime për vazhdim të bisedimeve. Më pas Abdixhiku lajmëroi se ka pezulluar bisedimet me Kurtin meqenëse në partinë e tij u deponuan nënshkrime për nismën për shkarkimin e tij.

Ditët që Haxhiu i la për “bisedime” kaluan pa asnjë rezultat në përmbushje të qëllimit të saj.

Haxhiu dje në një konferencë për media tha se deri më 6 gusht “mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun”.

“Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, tha Haxhiu në një konferencë për media”.

Derisa Presidenti qëndron në pikëpyetje, Haxhiu siguroi se për Qeverinë i kanë numrat.

“Është e vërtetë që partia fituese, Vetëvendosje, i ka numrat edhe për konstituimin e Kuvendit, edhe për qeverinë”, tha ajo.

Megjithatë, ajo s’përmendi nëse vendi do të ketë qeveri menjëherë pas konstituimit të Kuvendit.

Njësoj u deklarua edhe Kurti nga mbledhja e qeverisë në detyrë.

“Kemi dy javë, më së shumti, deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, para se të kalojmë te zgjedhja e qeverisë së re dhe më pas edhe e presidentit ose presidentes së Republikës. Për legjislaturën dhe ekzekutivin e ri, siç e dimë, nevojitet shumica e thjeshtë, ndërkaq për presidentin ose presidenten, së paku në dy raundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para 15 vjetëve, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, andaj edhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij ose të saj tejkalon një parti politike”.

As Kurti s’foli nëse do të krijojë Qeverinë e re apo do të vazhdojë që qeveria të mbesë në detyrë.

Që këtë herë do të jetë në gjendje të formojë Qeverinë pa ndonjë vonesë, Kurti e tha edhe para dy javësh ku ishte i bindur në mbështetjen e deputetëve nga partitë joshumicë joserbe në Parlament.

“Edhe partitë e pakicave që kanë qenë në të kaluarën bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, ne s’kemi asnjë arsye për të besuar se nuk do të jetë sërish njësoj – kështu që jo vetëm që kemi 53 deputetë si Lëvizje Vetëvendosje, por njëkohësisht i kemi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Republikës, madje kemi më shumë se edhe 61, që është minimumi i nevojshëm”.

Edhe nëse Qeveria mund të bëhet pa një dakordim mbi zgjedhjen e Presidentit, shteti rrezikon të mbesë i zhytur në krizën institucionale ku hyri që nga shkurti i vitit të kaluar kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta.

Në LDK nuk dihet nëse do të vazhdojë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të Kuvendit të jashtëzakonshëm që pritet ta mbajë, ndërsa PDK ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here