651 milionë import, vetëm 88 milionë eksport, thellohet hendeku tregtar

0
82

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë se në mars 2026 deficiti tregtar arriti në 563,5 milionë euro, që është rritje prej 5,2 % krahasuar me marsin 2025. Eksporti në këtë muaj ishte 88,4 milionë euro, ndërsa importi 651,8 milionë euro

Kosova vazhdon të mbushet çdo ditë e më shumë me mallra të huaja, ndërsa prodhimi dhe eksporti vendor mbeten shumë prapa në raport me kërkesën e brendshme dhe importet në rritje.

Të dhënat tregojnë se vendi vazhdon të importojë shumë më tepër sesa eksporton, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e deficitit tregtar. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe është shënuar edhe rritje e eksporteve.

Sipas të dhënave zyrtare, deficiti tregtar në muajin mars 2026 arriti në 563,5 milionë euro, që paraqet rritje prej 5,2 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, kur kishte qenë 535,7 milionë euro.

Eksporti mbulon importin me vetëm 13,6 %, duke treguar se raporti ndërmjet mallrave që shiten jashtë vendit dhe atyre që importohen mbetet i ulët.

Eksporti i mallrave gjatë muajit mars 2026 kishte vlerën 88,4 milionë euro, duke shënuar rritje prej 18,2 % krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar.

Ndërkohë, importi arriti në 651,8 milionë euro, me rritje prej 6,8 %. Kjo tregon se edhe pse eksportet janë rritur me ritëm më të shpejtë, vlera e importeve mbetet shumë më e lartë.

Sa i përket strukturës së eksporteve, pjesëmarrjen më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 26,2 %. Pas tyre renditen plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 12,4 %, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11,1 %, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8,3 %, si dhe tekstili dhe artikujt prej tekstili me 8,2 %.

Në anën tjetër, importet dominohen nga produktet minerale me 14,5 %, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 14,3 %, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 10,6 %, mjetet e transportit me 10,6 %, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 10,0 %.

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 29,3 milionë euro ose 33,2 % të eksporteve totale, me rritje prej 12,9 %. Partnerët kryesorë ishin Gjermania me 10,0 %, Italia me 3,8 % dhe Holanda me 2,9 %.

Importet nga vendet e Bashkimit Evropian arritën në 284,1 milionë euro ose 43,6 % të importeve të përgjithshme, me rritje prej 14,1 %. Pjesëmarrjen më të lartë e kishin Gjermania me 13,5 %, Italia me 4,5 % dhe Polonia me 3,4 %.

Sa i përket vendeve të CEFTA-s, eksportet arritën në 40,8 milionë euro ose 46,2 % të eksporteve totale, me rritje prej 21,8 %. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut me 16,2 %, Shqipëria me 14,2 %, Serbia me 8,8 % dhe Mali i Zi me 5,2 %.

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 78,1 milionë euro ose 12,0 % të importeve totale, duke shënuar rënie prej 23,1 %. Pjesëmarrjen më të madhe e kishin Shqipëria me 3,8 %, Maqedonia e Veriut me 3,6 % dhe Serbia me 3,3 %.

Eksportet me vendet e tjera arritën në 18,2 milionë euro ose 20,7 % të eksporteve të përgjithshme. Partnerët kryesorë ishin Zvicra me 10,2 % dhe Turqia me 3,8 %.

Ndërkohë, importet nga vendet e tjera arritën në 289,6 milionë euro ose 44,4 % të importeve totale, ku pjesëmarrjen më të lartë e kishin Kina me 14,6 % dhe Turqia me 11,0 %.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here