110-vjeçarja Xhezide Aliu nga Ferizaji, gruaja më e moshuar në Kosovë

0
429

Më 6 gusht të këtij viti ajo do ta festojë ditëlindjen e 110-të. Është Xhezide Aliu nga fshati Dardani e Ferizajt, e lindur në vitin 1913, e cila cilësohet si gruaja më e vjetër në vend.

Të gjithë e quajnë loke dhe për moshën që ka gëzon shëndet të plotë. Thotë se sheh edhe pa syze, mban mend mirë dhe është ende aktive me punë të vogla rreth shtëpisë.

Ajo ka kaluar një jetë mes vuajtjeve dhe gëzimeve.

U martua në moshën 15-vjeçare dhe kur i mbushi 49 vjet mbeti e ve.

Thotë se në duart e saj u rritën dhe u edukuan 12 fëmijë, nga ta 6 jetimë, prindërit e të cilëve u kishin vdekur.

Jetëgjatësinë e saj 110-vjeçare ia dedikon stilit të jetesës, theks të veçantë i vë harmonisë në familje që ka pasur edhe në ditët që shpeshherë u mungonte buka në sofër.

Jetesën e vështirë të nënë lokes e kujton edhe djali i saj më i vogël, Remziu.

Ai thotë se motrat dhe vëllezërit e tij u rriten në mes skamjes, por nëna ishte ajo që i bëri të jenë ata që janë sot.

Remziu thotë se jetesa e sotme nuk ngjan aspak me atë që e kishte në fëmijëri. Edhe pse jeton në Zvicër, shpesh merr rrugë për të qëndruar afër nënës së tij.

Nënëlokja u ka mbijetuar katër luftërave, ka 60 pasardhës nga pesë fëmijët e saj.

Gjysma e familjes së saj jetojnë në botën e jashtme, mblidhen shpesh e sidomos në çdo ditëlindje që e feston e moshuara.

Ajo u bë personi më i vjetër i gjallë në Kosovë, pas vdekjes së 109-vjeçares Xhemile Kaloshi-Susuri, më 28 shkurt 2022./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here