Eliminimi i Real Madridit nga Liga e Kampionëve ka lënë një shije të hidhur te tifozët “Los Blancos”, dhe kjo po reflektohet edhe në atmosferën brenda stadiumit. Në ndeshjen e fundit ndaj Athletic Bilbaos në La Liga, tifozët madrilenë shpërthyen në fishkëllima ndaj Kylian Mbappes sapo emri i tij u shfaq në monitor, një sinjal i qartë se pakënaqësitë po ziejë në kampin e bardhë, shkruan 04 Online.
Nuk është hera e parë që Mbappe përballet me një reagim të tillë. Francezi u fishkëllye edhe gjatë ndeshjes ndaj Arsenalit, kur u detyrua të largohej për shkak të një lëndimi. Për më tepër, sulmuesi ishte suspenduar fundjavën e kaluar për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër ndaj një lojtari të Alavesit – një tjetër moment që ka tensionuar raportin e tij me tifozët.
Megjithatë, statistikat personale të Mbappes nuk lënë vend për kritika: në 49 paraqitje këtë sezon, ai ka realizuar 32 gola dhe 4 asistime, duke qenë padyshim një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.
Pavarësisht zhgënjimit në Champions, sezoni për Realin nuk është mbyllur ende. Skuadra ndodhet në finalen e Kupës së Mbretit dhe është në garë për të mbrojtur titullin në La Liga – dy objektiva që mund ta rikthejnë atmosferën pozitive në “Santiago Bernabéu”.
A do të arrijë Mbappe t’i rikthejë tifozët në krah? Mbetet për t’u parë në javët vendimtare të sezonit./04 Online