Shpresë për liberalizim të vizave nën presidencën çeke që do ta udhëheqë BE-në nga 1 korriku e deri në fundvit

0
253

Pas Francës, Çekia do të udhëheqë me presidencën e Bashkimit Evropian nga 1 korriku e deri në fund të vitit.

Njohës të rrethanave ndërkombëtare kanë mendime të ndryshme sa i përket mundësisë së marrjes së një vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, deri në fundvit. Ata thonë se për procesin e liberalizmit i cili është stërzgjatur e politizuar, edhe mund të ketë lëvizje pozitive, marrë parasysh zhvillimet e vazhdueshme gjeopolitike në Evropë.

Ndonëse pati pritje më të shtuara sa i përket mundësisë marrjes së ndonjë vendimi apo edhe inicimit përpara të liberalizimit të vizave për Kosovën, Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua më 22 dhe 23 qershor përfundoi pa asnjë rezultat konkret për Kosovën. Sërish, skeptikja më e madhe sa i përket largimit të regjimit të vizave për kosovarët ishte Franca. Pas këtij shteti, nga 1 korriku kryesimin e Presidencës e BE-së do ta marrë Çekia. Përkundër zhvillimeve të kohëve të fundit, mundësia e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë këtij viti është në pikëpyetje. Megjithëkëtë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë për Radio Kosovën se gjatë kohës sa Çekia do të udhëheqë me presidencën e BE-së, mund të ketë lëvizje përpara për çështjen e liberalizmit të vizave.

“Republika e Çekisë është mjaftë dashamirëse e republikës sonë dhe mund ta shtyjë përpara, në dy samitet që do të mbahen, qëndrimin për të bërë liberalizimin e vizave dhe për t’i mundësuar qytetarët tanë lëvizjen e lirë në Zonën Shengen. Duke parë rrethanat gjeopolitike, pas luftës që po ndodhe ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, mund të ketë një lloj shtytje, madje do të thosha ndoshta edhe emocionale, që Unioni Evropian t’i thërras mendjes dhe të bëjë një kthesë politike rreth një vendimmarrje për liberalizimin për ne, dhe çështjet tjera karshi Ballkanit”, tha ai.

Tutje, Pula thekson se Bashkimi Evropian aktualisht është në “luftë” me vetveten dhe ka një mungesë serioziteti sa i përket Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, më skeptik sa i përket mundësisë së liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë presidencës çeke të BE-së, shprehet Gurakuç Kuçi, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai thotë se prej vitesh, liberalizimi i vizave për Kosovën vazhdon të jetë një çështje politike.

“Nuk është problemi se kush e ka frontin aty, sepse vendimet brenda Bashkimit Evropian merren me unanimitet. Duhet të gjithë të janë pro një gjeje dhe të merret një vendim. Në rastin tonë, disa vende nuk janë pro kësaj çështje, e nuk është Çekia ajo që e ndalon Kosovën të marrë liberalizimin e vizave. Është Franca ajo që po bllokon dhe ka informacione që ka edhe shtet tjera”, tha ai.

Kosova që është vendi i vetëm në Ballkan që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në, ndonwse prej vitesh ka plotësuar të gjitha 95 kriteret e vendosura nga BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim. Negociatat për heqjen e vizave ishin filluar në vitin 2012. Liberalizimi i vizave është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së./Zeri.info

Leave a Reply