Autoritetet italiane kanë goditur një organizatë kriminale shqiptare të përfshirë në trafikun e kokainës në zonën e L’Aquila, duke arrestuar 16 persona dhe duke vendosur nën hetim 40 të tjerë në kuadër të një operacioni të gjerë anti-drogë.
Sipas mediave italiane dhe Drejtorisë së Qarkut Anti-Mafia në L’Aquila, grupi kriminal kishte ngritur një rrjet të organizuar të shpërndarjes së kokainës, që operonte përmes mesazheve të koduara dhe skemës “delivery”, me dorëzim të drogës direkt në banesa.
Hetimet zbuluan se shqiptarët e përfshirë mbërrinin në Itali me vizë turistike, kryesisht të rinj në fillim të të njëzetave, pa precedentë penalë. Ata vendoseshin në apartamente në periferi të qytetit, përdornin makina me qira dhe ndryshonin vazhdimisht telefonat dhe kartat SIM për t’iu shmangur zbulimit nga autoritetet.
Sipas Prokurorisë, bëhej fjalë për tre organizata kriminale të ndara, por të lidhura mes tyre dhe me një strukturë operative në Shqipëri, e cila merrej me rekrutimin e anëtarëve, furnizimin me drogë dhe menaxhimin e trafikut.
Operacioni, i nisur në janar 2025 dhe i koordinuar nga prokurorja Roberta D’Avolio nën drejtimin e prokurorit Alberto Sgambati, u zhvillua pas më shumë se një viti hetimesh intensive me kamera të fshehta, përgjime dhe vëzhgime në terren.
Karabinierët kanë sekuestruar rreth një kilogram kokainë dhe dyshohet se grupi ka shitur të paktën 3,200 doza droge, me një fitim të vlerësuar rreth 125 mijë euro.
Droga fshihej në zona pyjore, fshatra dhe periferi të L’Aquila, ndërsa aktiviteti kriminal shtrihej edhe në rajonet e Toskanës dhe Venetos.
“Ky operacion nuk e zgjidh problemin e drogës, por përfaqëson një goditje të rëndësishme ndaj organizatave kriminale që vepronin prej kohësh në territor,” deklaroi prokurorja D’Avolio. /GazetaSinjali/















































