Klubi i futbollit Vëllaznimi ka njoftuar për fitoren e arritur në fushë të dielën ndaj Lirisë, në derbin e javës së shtatë të Grupit A të Ligës së Parë.
Për disfatën e pësuar nga rivali i vjetër, Vëllaznimi, ka njoftuar Liria.
Por asnjëri prej klubeve nuk ka njoftuar për ndonjë incident. Nuk ka pasur as ndonjë reagim nga klubet me nam në futbollin kosovar.
Por në një video të publikuar të dielën në mbrëmje shihet një tollovi e krijuar në hyrjen e stadiumit “Liman Gegaj” në Malishevë. Po ashtu, shihen edhe disa persona që kalojnë rrethojat e stadiumit ku Vëllaznimi ishte vendës, pasi stadiumi i tij në Gjakovë nuk është gati. Më shumë në videon e publikuar shihen lojtarët e Vëllaznimit.
Disa tentojnë të futen me forcë në pjesën e brendshme, që dërgon në dhomat e zhveshjes, e disa mundohen të qetësojnë situatën. Është raportuar se ka pasur përleshje mes lojtarëve të Vëllaznimit dhe Lirisë.
Pamje edhe më të rënda se të ndeshjes Vëllaznimi – Liria janë parë në javët e kaluara.
Ndeshja e 8 shtatorit, e vlefshme për xhiron e dytë të Ligës së Dytë në mes të Deçanit dhe Prizrenit ishte ndërprerë pak para fundit, pas përleshjes mes lojtarëve në fushë e po ashtu sulmit fizik ndaj lojtarëve mysafirë nga tifozët vendës. Gjatë tollovisë kishte edhe hedhje të mjeteve të forta, por edhe hyrje të shumë personave të paautorizuar në fushë që kanë realizuar sulm fizik.
Klubi i Deçanit, po ashtu edhe lojtarët e tij dhe një lojtar i Prizrenit u dënuan nga Federatat e Futbollit e Kosovës.
Edhe në ndeshjen e Ligës së Parë, Grupi B, në mes të Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë ka pasur dhunë mes tifozërive të të dyja klubeve.
Në një video të publikuar në rrjete sociale shihet se ka pasur edhe thika që janë përdorur në përleshje. Ka pasur arrestime të disa personave të përfshirë në përleshje.
Dënime janë dhënë edhe për një rrahje masive që ndodhi në ndeshjen e juniorëve mes Fushës Kosovës dhe Gjilanit./Koha