Rezoluta për Kosovën e miratuar mes tensioneve në Kuvendin e Shqipërisë: Të punohet krah për krah – pa rezerva

0
146

Me 101 vota për dhe një abstenim, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën në mbështetje të Kosovës pas shtatë orësh debat më 12 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë seancës deklaroi se pozicioni “i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës” në sytë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian po ia bëjnë të vështirë vendit të tij përpjekjet për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës.

Rama tha se “viktimizimi diplomatik i Serbisë falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut”, po ashtu po ndikon në përpjekjet e Shqipërisë.

Ai i bëri thirrje Kosovës të mos e humbasë “shansin historik” për t’u ulur në tavolinën e negociatave me planin franko-gjerman, si dhe ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tij, është kthyer në “litar që po ia shtrëngon këmbët Kosovës.”

Pamje nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe diplomatëve të Bashkimit Evropian, Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak, në të cilin është arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen Bazë.

Çfarë është Marrëveshja Bazë?

Rama tha se nuk lëkundet nga qëndrimi i tij se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – duke theksuar se “është prezent rreziku i përshkallëzimit me armë të konfliktit në veri, edhe përmes ndikimit rus”.

Votimi i rezolutës në Kuvendin shqiptar vjen pasi më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, u vranë edhe tre sulmues.

Kuvendi i Kosovës e miratoi më 28 shtator një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.

Në rezolutën e miratuar më 12 tetor theksohet se “Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën e miratuar më 28 shtator në Kuvendin e Kosovës.”

Gjithashtu, sipas rezolutës, Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Shqipërisë “që në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe në kontaktet bilateral me partnerët të angazhohen fuqishëm dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”.

Rezoluta inkurajon Qeverinë e Kosovës që të “punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva” me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

Leave a Reply