Numri i personave që jetojnë me diabet të tipit 1 pritet të rritet ndjeshëm gjatë dy dekadave të ardhshme, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se kjo rritje nuk lidhet me obezitetin apo stilin joaktiv të jetesës.
Në Britani, studiuesit parashikojnë se numri i rasteve mund të rritet me rreth një të tretën deri në vitin 2049, duke arritur në afro 420 mijë persona.
Sipas të dhënave zyrtare, rastet janë rritur tashmë me rreth 25 për qind që nga fillimi i viteve 2000.
Ndryshe nga diabeti i tipit 2, diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune dhe zakonisht shfaqet në fëmijëri ose në moshë të re.
Në këtë gjendje, sistemi imunitar sulmon qelizat e pankreasit që prodhojnë insulinë, hormonin që ndihmon glukozën nga ushqimi të futet në qeliza dhe të përdoret për energji.
Pse po rriten rastet?
Shkencëtarët ende nuk kanë identifikuar një shkak të vetëm që mund ta shpjegojë këtë rritje.
Sipas Dr. Rosiered Brownson-Smith nga King’s College London, ndryshimi është shumë i shpejtë për t’u shpjeguar vetëm me faktorët gjenetikë.
“Rritja po ndodh tepër shpejt për t’u shpjeguar vetëm nga ndryshimet në gjenet tona”, tha ajo.
Studiuesit po shqyrtojnë një sërë faktorësh të mundshëm mjedisorë dhe ekspozime në vitet e para të jetës, përfshirë infeksionet virale në fëmijëri, ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve, përdorimin e antibiotikëve, ndotjen e ajrit dhe ekspozimin ndaj disa kimikateve.
Janë studiuar gjithashtu faktorë si obeziteti në fëmijëri, ekspozimi i hershëm ndaj qumështit të lopës dhe kontakti më i kufizuar me mikrobet në vitet e para të jetës.
Megjithatë, deri më tani nuk ka prova të mjaftueshme për të thënë se njëri prej këtyre faktorëve është përgjegjës drejtpërdrejt për rritjen.
“Më e mundshme është që disa faktorë të ndryshëm të veprojnë së bashku te personat që kanë predispozitë gjenetike për diabet të tipit 1”, shpjegoi Brownson-Smith.
Më shumë njerëz po jetojnë më gjatë me sëmundjen
Studimi i ri, që pritet të prezantohet në takimin vjetor të European Association for the Study of Diabetes në Milano, parashikon gjithashtu një rritje të barrës globale të sëmundjes.
Sipas modelimeve, numri i rasteve të reja në nivel botëror mund të rritet nga rreth 530 mijë në më shumë se 605 mijë në vit.
Një arsye e rëndësishme pse numri i personave që jetojnë me diabet të tipit 1 po rritet është edhe përmirësimi i trajtimit.
Falë insulinës moderne, monitorimit më të mirë të glukozës dhe kujdesit të specializuar, pacientët sot jetojnë dukshëm më gjatë se në të kaluarën.
Studime më të hershme sugjeronin se njerëzit me diabet të tipit 1 mund të jetonin 15 deri në 20 vjet më pak se personat pa sëmundjen, ndërsa vlerësime më të reja e vendosin këtë diferencë më afër 11 vjetëve.
“Me qasje në kujdes të specializuar, insulinë dhe monitorim të glukozës, shumë njerëz të diagnostikuar në moshë të re mund të jetojnë me këtë gjendje për dekada”, tha Brownson-Smith.
Sëmundja kërkon trajtim gjatë gjithë jetës
Personat me diabet të tipit 1 kanë nevojë për insulinë çdo ditë, nëpërmjet injeksioneve ose pompës së insulinës.
Pa insulinë të mjaftueshme, niveli i glukozës në gjak mund të rritet në nivele të rrezikshme.
Në raste të rënda mund të zhvillohet ketoacidoza diabetike, ose DKA, një gjendje potencialisht kërcënuese për jetën.

Kjo ndodh kur trupi, për shkak të mungesës së insulinës, fillon të përdorë yndyrën si burim energjie dhe prodhon substanca acidike të quajtura ketone.
Simptomat mund të përfshijnë etje të fortë, të vjella, dhimbje barku, konfuzion dhe vështirësi në frymëmarrje. Pa trajtim të menjëhershëm, gjendja mund të çojë në humbje të vetëdijes dhe, në raste ekstreme, në vdekje.
Rreziku për komplikime mbetet i lartë
Diabeti i tipit 1 mund të rrisë rrezikun për sëmundje të veshkave, goditje në tru, dëmtim të nervave dhe probleme me shikimin.
Megjithatë, përparimet në trajtim kanë përmirësuar ndjeshëm perspektivën për pacientët.
Sfida më e madhe pritet të jetë në vendet më të varfra, ku qasja në insulinë, pajisje për matjen e glukozës dhe kujdes të specializuar mbetet e kufizuar.
Në Shtetet e Bashkuara, studiuesit parashikojnë se numri i personave që jetojnë me këtë sëmundje mund të rritet nga rreth 1.5 milionë aktualisht në mbi 2 milionë deri në vitin 2049.
Ekspertët: sistemet shëndetësore duhet të përgatiten
Autorët e studimit thonë se rritja e rasteve duhet të shërbejë si paralajmërim për sistemet shëndetësore.
Personat me diabet të tipit 1 kanë nevojë për mbështetje gjatë gjithë jetës, përfshirë insulinë, monitorim të vazhdueshëm të glukozës, edukim për menaxhimin e sëmundjes dhe kontrolle të rregullta.
“Implikimi kryesor është se sistemet shëndetësore duhet të planifikojnë për një numër më të madh njerëzish që do të jetojnë me diabet të tipit 1 në afat të gjatë”, tha Brownson-Smith.
Kjo pritet të rrisë kërkesën për ekipe të specializuara të diabetit, teknologji për monitorimin e glukozës dhe programe mbështetëse nga fëmijëria deri në moshë të avancuar.
Cilat janë simptomat?
Simptomat e diabetit të tipit 1 zakonisht shfaqen shpejt, shpesh brenda disa javësh.
Shenjat më të zakonshme përfshijnë etje të fortë, urinim të shpeshtë dhe humbje peshe pa shpjegim.
Më vonë mund të shfaqen lodhje, shikim i turbullt, kruajtje dhe shërim më i ngadaltë i plagëve.
Personat që kanë simptoma të tilla duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor sa më shpejt, pasi diagnostikimi dhe fillimi i hershëm i trajtimit janë thelbësore për parandalimin e komplikimeve serioze. /GazetaExpress/















































