Rama ua dorëzon Macronit dhe Scholzit një draftstatut të Asociacionit

0
182

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se draftstatuti është i punuar nga “ajka e mendimit juridik botëror” dhe, sipas tij, pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi. Por Rama thekson se ai nuk do të bëhet publik kurrë. 

“Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për ta çuar një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogut dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”, ka theksuar Rama të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me tensionet në veri. 

Ai ka thënë se e ka ditur me kohë që nyja gordiane e dialogut do ishte deri në fund Asosacioni i komunave me shumë serbe dhe se bindja e tij është se asnjëra nga palët nuk e do Asocacionin dhe do bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, siç ka theksuar duke përhapur krizën me lloj-lloj artificesh politike apo teknike.

“Besoj çdo ditë e më shumë se krijimi i Asosacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmim ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara dhe në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë më Serbinë”, ka theksuar Rama.

Ai ka theksuar draftstatuti që e ka dorëzuar është një dokument konfidencial dhe se nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale, por ka thënë se “siguron që ky dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha për krijimin e Asociacionit dhe në konsideratë se Asociacioni është pjesë e furnizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet e Gjykatës së Kosovës”.

I pyetur nëse e ka konsultuar për këtë draft-statut, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ose presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ai ka thënë se nuk është detyra e tij ta konsultojë asnjë palë.

“Pozicioni im i të qenit kryeministër i Shqipërisë e bën më të vështirë këtë. Vetvetiu jam palë, dua apo nuk dua. Është neutral në këtë pikë. Nuk është bërë për asnjërin. Për mua Kosova është mbi të gjitha e mbi çdo gjë në këtë rast. Jam këtu për Kosovën, nuk jam as për njërin e as për tjetrin. Unë nuk marr vota në Kosovë e nuk kam interesa në Kosovë. Si kryeministër i Shqipërisë, që e sheh se si një pjesë e kombit tim po hyn në një kurs përplasjeje me ata që e lartësuan kombin tim si asnjëherë më parë e që hodhën bomba për kombin tim, unë e ndiej detyrë ndaj kombit tim t’i them këto fjalë”, ka deklaruar Rama.

KOHA ka pyetur Zyrën e Kryeministrit nëse janë në dijeni për një draftstatut të tillë dhe si e komentojnë këtë. Posa të marrë një përgjigje teksti do të përditësohet.

Leave a Reply