Poezia për nxënësin tim të talentuar, që do të niset në emigrim…

0
845

Poezi nga mësuesi Selim Tahiri për nxënësin e tij i cili edhe pse me shumë talente në disa fusha, pas diplomimit detyrohet të largohet nga Kosova.

Edhe Gentriti…

Kur vargjet e Fishtës i recitoje me zjarr

Muret e bankat dridheshin në klasë;

“Ma mirë n’vorr me u kja për mall

Se me nejt nër shkja për t’gjallë’’.

Kur shkolla festonte ditën e saj

Ëmbël i këndoje Besimit tonë;

“Qëlloi shkaun mu në ballë

Armën kurrë tha s’e dorëzoj”.

Kur mbaheshin garat për aktorë

çmime të para gjithmonë ke marrë;

“Pisbuki, me axhen, gjinen i bani hor

Me hi po hinë, po s’po dinë me dal’’.

Talent për recitim, këndim e aktrim

Por as mësimin s’e le pasdore, 

I lumturove prindërit, i mbushe gëzim,

Atë ditë kur ti u diplomove. 

Pastaj u punësove menjëherë

Këmisha e bardhë të kishte hije: 

“Urdhëroni! Mirë se na erdhët! 

Jeni për ushqim apo për pije? ”. 

Si gjithë të tjerëve me mirësjellje

Edhe mua më shërbeje; 

“Ulu prof! Pije një kafe! 

Në shenjë respekti, e ke prej meje”.

Sot, në restorantin me lule shumë

Kafenë ma solli një tjetër kamerier

Më tha, “Nxënësi yt, më s’punon këtu,

Të shtunën niset për kurbet…”.

Nga Selim Tahiri 

© Portali Shkollor

Leave a Reply