Osmani e hapur ndaj propozimit franko-gjerman e kundër kërkesës SHBA-BE për targat

0
1114

Presidentja Vjosa Osmani e ka shprehur kundërshtimin ndaj kërkesës së BE-së e SHBA-së për shtyrjen e afatit për konvertimin e targave në RKS. Shtyrjen e këtij afati ajo e ka ndërlidhur me tolerimin e kërcënimeve të serbëve. Në një konferencë për media shefja e shtetit ka ndarë detaje për propozimin franko-gjerman e për të cilin ka thënë se ka për qëllim dinamizimin e dialogut, si dhe për gjasat që vendimi për heqjen e regjimit të vizave të merret këtë vit.

Përfaqësuesit më të lartë të shtetit nuk ndajnë qëndrime të njëjta sa i përket propozimit franko-gjerman.

Derisa kryeministri Albin Kurti vazhdon të thotë se propozimet e tilla janë testime dhe sprova, presidentja Vjosa Osmani të premten e ka vlerësuar konkrete këtë nismë.

Tek ka folur për këtë çështje, ajo ka paralajmëruar se detajet së shpejti do të shpalosen edhe nga ekipet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Iniciativa franko-gjermane ka për qëllim intensifikimin e dialogut. Kjo nënkupton që shumë çështje, të cilat në fillim kanë qenë të planifikuara të trajtohen veç e veç në marrëveshje të ndara që do të mund të merrnin vite të tëra, ideja është që të gjitha ato çështje të grupohen në një dokument të vetëm, në mënyrë që në mënyrë intensive të tejkalohen dallimet dhe të arrihen marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Osmani të premten.

Për dallim nga propozimi franko-gjerman, Osmani ndan të njëjtin qëndrim me kreun e Qeverisë së Kosovës lidhur me afatin për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.

Kërkesën e BE-së dhe SHBA-së që afati që përfundon në fund të këtij muaj të shtyhet për 10 muaj, Osmani e lidh me kërcënimet me të cilat thotë se janë duke u ballafaquar serbët.

“Shtyrja e vazhdueshme në njëfarë mënyre nënkupton se po tolerohen këto kërcënime të bandave kriminale në raport me serbët lokalë dhe prandaj po e them se kjo është çështje e sundimit të ligjit. Kjo nuk është assesi kundër serbëve, është një çështje që ka të bëjë me mbrojtjen e tyre nga këto banda kriminale”, ka deklaruar Osmani.

Kryetarja e shtetit ka pranuar se me emisarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, ka diskutuar lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin.

Megjithëkëtë, ajo ka mohuar se nga ndërkombëtarët ka pranuar ndonjë draft për themelimin e AKS-së.

“Nuk është e vërtetë që ekziston një draft i shtetit gjerman që u është dorëzuar institucioneve të Kosovës dhe as nuk do të ketë, të jem e qartë, për shkak se qëndrimi i partnerëve tanë është i qartë në kontekstin se ata nuk thonë vetëm themeloni Asociacionin, por e përmendin se asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar presidentja.

Osmani ka folur edhe për heqjen e regjimit të vizave duke thënë se shpreson që vendimi politik të merret deri në dhjetor.

Këto detaje presidentja i ka ndarë në konferencën për media e në të cilën shpalosi detaje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, punimet e të cilit nisin të shtunën.

Leave a Reply