Nënkryetari i OHTK-së, Burim Sallauka është ankuar për ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike në fshatin turistik në Prevallë.
Sipas Sallaukës këto ndërprerje sidomos në fillim të sezonit dimëror janë duke ndikuar edhe në bizneset e shumta që operojnë në këtë fshat turistik, i cili pret qindra vizitor vendor e turistë të huaj.
Si rrjedhojë, Sallauka ka kërkuar nga KEDS-i që të investojnë në këtë zonë për ta përmirësuar rrjetin energjetik, të rritë kapacitetet për përballimin e sezonit të dimrit pa ndërprerje të panevojshme.
“Ankesë për ndërprerjen e energjisë elektrike në fshatin turistik Prevallë
Për: KEDS – Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike
E nderuara kompani,
Dëshiroj të paraqes një ankesë lidhur me ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike në fshatin turistik Prevallë, të cilat po ndodhin çdo vit para fillimit të sezonit dimëror, për shkak të prishjeve atmosferike.
Këto probleme janë rezultat i mungesës së mirëmbajtjes së rrjetit energjetik gjatë periudhës së verës, kur kushtet atmosferike janë më të përshtatshme për ndërhyrje teknike. Për një zonë me rëndësi të madhe turistike si Prevallja, ku shumë hotele, lokale dhe biznese varen nga furnizimi i pandërprerë me energji elektrike, këto ndërprerje shkaktojnë dëme të mëdha financiare dhe cenojnë funksionimin e sektorit turistik, veçanërisht tani kur sezoni dimëror sapo ka nisur.
Është e papranueshme që mungesa e masave parandaluese nga ana juaj të vazhdojë të ndikojë negativisht jo vetëm tek banorët, por edhe tek vizitorët dhe bizneset që operojnë në këtë zonë. Fshati turistik Prevallë ka një rëndësi të veçantë për ekonominë lokale dhe duhet të trajtohet me prioritet përsa i përket mirëmbajtjes dhe përmirësimit të rrjetit energjetik.
Ju lutem që të ndërmerrni hapa të menjëhershëm për:
- Përmirësimin e rrjetit energjetik në këtë zonë.
- Rritjen e kapaciteteve për përballimin e sezonit të dimrit pa ndërprerje të panevojshme.
- Hartimin dhe zbatimin e një plani të qëndrueshëm për mirëmbajtjen e rrjetit gjatë periudhës së verës, për të shmangur situatat e tilla në të ardhmen.
Pres një përgjigje zyrtare dhe hapa konkretë për adresimin e kësaj çështjeje, pasi kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe mirëqenien e të gjithë atyre që e frekuentojnë këtë fshat.”, thuhet në reagimin e Sallaukës./04 Online