Ministria e Drejtësisë pritet të hap konkurs të ri për noterë

0
337

Ministria e Drejtësisë po planifikon që të hap konkurs të ri për noterë, por pjesë e kësaj gare nuk do të jenë mbi 60 kandidatët e konkursit të mëhershëm që e kishin kaluar procesin të cilin e kishte kontestuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe e kishte kthyer në pikën zero.

Kandidatët e konkursit të fundit do t’i nënshtrohen vetëm procesit për licencim si noterë. Në anën tjetër, komunat po bëjnë thirrje që sa më parë të zgjidhet kjo çështja për shkak të vështirësive që janë shfaqur për shkak të mungesës së noterëve.

Këshilltari i lartë i ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni, u shpreh se pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila iu dha të drejtë kandidatëve të konkursit të fundit të noterisë, janë krijuar rrethana të reja dhe aktualisht si ministri ndodhen në fazën e krijimit të komisionit.

Nimoni u shpreh se procesi i noterisë është prioritet në Ministrinë e Drejtësisë.

“Natyrisht që vendimet e gjykatës janë të zbatueshme, janë krijuar rrethana të reja dhe pas këtij vendimi ne jemi duke u konsultuar për një proces të ri, jemi në proces të krijimit të komisionit për noter dhe do ta themelojmë komisionin, do të konsultohemi me ekspertë dhe do të vazhdojmë tutje dhe do ta marrim me prioritet këtë… Jemi në proces të konsultimit edhe me ekspertë dhe me gjasë do të ketë konkurs të ri dhe pasi ta kalojnë provimin për noterë do të kemi shumë kandidatë dhe ata kandidatë të cilat do t’i plotësojnë kriteret, sipas legjislacionit në fuqi, edhe do të licencohen si noterë… Gjykata ka vendosur për procesin, ata tashmë do të jenë pjesë e garës, jo garës për konkurs të ri por do të jenë pjesë të garës për licencim, dhe pasi ta kemi përmbylljen e procesit të ri të konkursit ne natyrisht që të gjithë kandidatët, edhe paraprakë, edhe kandidatët e rinj, do të jenë në proces konkurrimi për licencim dhe ata që do të plotësojnë kriteret do të licencohen si noterë“, tha ai.

Nimoni u shpreh se 11 komuna aktualisht janë pa noterë dhe përmes zëvendësimit të noterëve po mundohen të bëjnë zgjidhje deri në licencimin e noterëve të rinj.

“Në bazë të informacioneve që kemi janë diku 11 komuna pa noterë, mirëpo ne po shikojmë edhe mundësinë e zëvendësimit e transferimit për aq sa e lejon legjislacioni në fuqi dhe do të veprojmë kështu derisa të kemi noterë të rinj të licencuar”, theksoi ai.

Por akuza për mos angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për procesin e noterisë ka hedhurish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka udhëhequr me këtë dikaster kur ishte hapur konkursi i fundit për noter në vitin 2019.

Tahiri për KosovaPress thotë se Ministria e Drejtësisë ka vendos të neglizhojë këtë proces duke u dhënë monopol disa noterëve që po veprojnë aktualisht në vend.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri këshillon kandidatët për noterë të konkursit të kaluar që të bëjnë kallëzim penal ndaj MD-së.

“Ministria e Drejtësisë ka vendosur ta neglizhojë këtë proces duke i dhënë monopol disa noterëve që të kryejnë punën e noterëve dhe të cilët realisht tashmë ju e dini që më shumë se gjysma e komunave në Republikën e Kosovës kanë mbetur pa noterë. Pra, sot për ta kryer një punë tek noteri duhet të presim me orë të tëra… po ruhet monopoli i disa noterëve dhe ata kanë qarkullim marramendës me mbështetje të Ministrisë së Drejtësisë dhe në anën tjetër ministrja e Drejtësisë po bënë vepër penale duke mos respektuar një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinë. Prandaj unë mendoj se të gjithë ata kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet që të jenë noterë në Republikën e Kosovës që kanë aplikuar edhe në konkursin që është hapur edhe në atë kohë sa kam qenë ministër për vendet e lira të noterëve nëpër komunat e Kosovës duhet t’i bëjnë kallëzim penal ministres së Drejtësisë për faktin se ajo nuk e respekton një të drejtë të tyre ligjore dhe kushtetuese”, theksoi ish-ministri i Drejtësisë.

Komuna e Rahovecit prej dy vitesh nuk ka asnjë noter. Nënkryetari i kësaj komune, Fatmir Iska tha se në mungesë të noterëve në komunën e tyre qytetarët po detyrohen t’i kryejnë këto shërbime në komunat tjera.

Ai kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që sa më shpejt të vendosen noterët në komunën e Rahovecit.

“Tash e dy vite komuna e Rahovecit ka mungesë të noterëve… ne jemi të detyruar t’i kryejmë shërbimet në komunat fqinje, qoftë në Prizren, Gjakovë apo edhe Suharekë sepse e di që edhe Malisheva ka mungesë të noterëve siç kemi ne… Që nga hapja e thirrjes për aplikim për subvencione për pagesa direkte bujqit e Rahovecit kanë pasur një vështirësi jashtëzakonisht të madhe në aplikim për arsye tek noteri duhet të vërtetohet deklarata nën betim… Nuk është në kompetencë të Komunës zgjedhja e një noteri, është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë ne kemi kërkuar vazhdimisht dhe vazhdimisht do të kërkojmë deri në sjelljen e një noteri prej ministrisë përkatëse në mënyrë që qytetarët e komunës tonë të kryejnë shërbime këtu në komunën tonë e jo të sillen nëpër komunat tjera”, theksoi ai.

Në mandatin e saj të parë ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e kishte anuluar procesin e noterisë duke e konsideruar si të komprometuar. Por, kandidatët e këtij konkursi të vitit 2019 më pas e patën paditur Ministrinë e Drejtësisë dhe tek gjatë këtij viti Gjykata Themelore e Prishtinë ka marr vendim rreth këtij procesi duke konsideruar se procesi i provimit për noterinë është i ligjshëm dhe i drejtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here