Nuk ka lajme konkrete për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka thënë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon. Megjithatë, ajo ka thënë se ka “goxha gjasa” që në gjysmën e dytë të vitit “të ketë një mundësi, më në fund”, kjo çështje të jetë në agjendë.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Von Cramon ka thënë të martën se për pak ditë do të shkojë në Francë për ta shtyrë përpara këtë çështje. Ka shtuar se duhet të bindet presidenti Emmanuel Macron.
“Do të përpiqem që të informohem në terren, të paktën për vete, me njerëzit përreth Macronit, të dëgjoj se çfarë ata kanë për të thënë, se kur do ta vëmë këtë çështje në agjendë, se kur do ta bëjnë këtë e kështu…. nuk e di…. t’i kuptoj gjithë këto. Por ajo që kam dëgjuar është se ka goxha gjasa që pas zgjedhjeve legjislative në fund të qershorit, pra në gjysmën e dytë të vitit, të ketë një mundësi më në fund. Por, siç e thashë, duhet ta bindim Macronin se kjo në fakt është një çështje teknike dhe jo një çështje më e madhe politike, as për rajonin dhe as për Serbinë”, ka thënë ajo.
Von Cramon ka thënë se s’mund të flasë nëse sivjet kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm brenda zonës Schengen.