Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në Qeveri Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati.
Kurti ka thënë se mbështetja e Qeverisë për FSK’në, s’ka qenë asnjëherë më e madhe e më e lartë dhe se po punojnë çdo ditë që FSK të jetë sa më moderne, më e fortë dhe profesionale, raporton Express.
“ Diskutuam planet dhe mbështetjen e Qeverisë që asnjëherë nuk ka qenë më e madhe e më e lartë. Zhvillimi dhe fuqizimi i ushtrisë në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit është ndër prioritet tona kryesore, andaj po punojmë çdo ditë që FSK-ja të jetë sa më moderne, sa më e fortë dhe po aq profesionale”, ka shkruar Kurti.
Takimi i tyre vjen një ditë pas vizitës së Presidentit të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, i cili u takua me Kurtin e Maqedoncin.