KQZ akrediton 761 vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, refuzon dy organizata dhe pezullon një parti politike

0
49

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 761 vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, ndërsa ka refuzuar dy organizata dhe ka pezulluar një parti politike.

Në mbledhjen e mbajtur të premten, KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike për grupin e parë të organizatave vëzhguese, të cilat do të monitorojnë procesin zgjedhor.

Sipas KQZ-së, organizatat e akredituara kanë përmbushur kriteret ligjore për vëzhgimin e zgjedhjeve, ndërsa dy organizata janë refuzuar për shkak të mosplotësimit të kushteve të parapara me ligj. Njëra prej tyre nuk ka përmbushur kriteret sa i përket fushëveprimit të saj, ndërsa tjetra është refuzuar për përdorim të terminologjisë që bie ndesh me rendin kushtetues të Kosovës.

Po ashtu, vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare, si dhe përfaqësi diplomatike dhe institucione vendore.

Në të njëjtën mbledhje, KQZ ka miratuar edhe rekomandimin për pezullimin e partisë politike “EKO LËVIZJA E GJELBËR”, për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afatit të përcaktuar nga institucioni.

KQZ pritet të vazhdojë me procesin e akreditimit të vëzhguesve edhe në fazat e ardhshme të procesit zgjedhor./Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here