“Kosova ka shumë për të fituar”/ Rohde: Me një rezultat ideal në dialog, mosnjohësit do ta njohin Kosovën 

0
104

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se është “i sigurt” se Kosovën do ta njohin shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, nëse ka rezultate në normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Ai ka inkurajuar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, që ta shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër, për të arritur marrëveshje për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Në mungesë të konstruktivitetit nga palët, Rohde përmendi mundësinë e sanksioneve nga BE-ja. Rohde, po ashtu tha se dy vendeve i janë premtuar edhe investime shtesë si shpërblim për konstruktivitet në dialog.

Ai shtoi se Kosova duhet ta përmbushë obligimin gati 10-vjeçar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sepse koha nuk është në anën e Kosovës dhe të Serbisë. Ne duhet ta kapërcejmë këtë përballje të përhershme me kriza. Të 27 vendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë. Javën e kaluar, ju e dini se kryeministrja e Italisë, presidenti i Francës dhe kancelari gjerman kanë publikuar një letër për dy liderët [kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë], në të cilën kanë nënvizuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Jam i lumtur që më 27 shkurt, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti janë pajtuar në parim për këtë propozim evropian, i cili është iniciuar nga Franca dhe Gjermania.”

E kemi bërë të qartë se koha është thelbësore. Kemi një luftë në Evropë. Nuk mund ta tolerojmë më këtë përballje të vazhdueshme me kriza, në lidhje me targat e makinave, barrikadat, zgjedhjet…

Andaj, na duhet një marrëveshje më 18 [mars]. Kjo është marrëveshja, e cila është në tryezë dhe duhet të zbatohet.

Pajtohem plotësisht me ju se shumë marrëveshje në të kaluarën, nuk janë zbatuar. Kjo është arsyeja përse jemi kaq të etur që këtë herë të funksionojë. Për këtë arsye keni nivelin më të lartë politik pas kësaj marrëveshjeje.”

Ai tha se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin pasi është obligim gati 10-vjeçar.

“Natyrisht, në fund varet nga palët e interesuara, por baza është ajo për të cilën është rënë dakord më 27 [shkurt]. Dhe, tani vjen zbatimi më i detajuar. Sigurisht, ka sekuenca, ka ende nuanca, të cilat mund të diskutohen, por aneksi i zbatimit, që është siguruar nga Lajçaku, është baza e marrëveshjes. Përsëri, e nënvizoj se është e rëndësishme që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është një obligim gati 10-vjeçar.”, tha Rohde për REL.

Ai shtoi se nuk ka mundësi që të ketë një Republikë Srpska të dytë.

“Ne e kemi bërë të qartë për të gjithë dhe për miqtë tanë këtu, në Kosovë, vijën e kuqe. Natyrisht, nuk ka asnjë mundësi të përafërt që të ketë një Republikë Sërpska të dytë. Cilado zgjidhje duhet të jetë në vijë me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të jetë baza e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 që janë ratifikuar nga Kosova.

Një gjë tjetër që e shohim është se tashmë kemi struktura paralele dhe situata nuk është bërë më mirë, por më keq. Serbët e Kosovës i kanë lënë institucionet (e Kosovës), kështu që kemi një situatë të keqe.

Duke e themeluar Asociacionin ne shpresojmë se do t’i integrojmë serbët e Kosovës brenda shtetit. Ky është një zhvillim i mirë, unë e shoh nga kjo perspektivë.”, tha ai tutje.

Sipas tij, Kosova do të përfitojë shumë nga kjo marrëveshje.

“Dhe, siç kam thënë, Kosova ka shumë për të fituar: Njohje de facto, integritet territorial, njohje të të gjitha dokumenteve dhe simboleve shtetërore dhe tejkalimi i së kaluarës i bazuar në vlera evropiane.

Ky është një hap i madh përpara, nuk është fundi, por mendoj se i vendos të dyja palët në rrugën evropiane. Dhe, përsëris, të tejkalohet menaxhimi i vazhdueshëm i krizave.”

Ai ka treguar po ashtu se a ka pasur diskutime të brendshme apo a ka pasur ndonjë ndryshim të prekshëm të pozicioneve të vendeve mosnjohëse (të Kosovës) në rast se marrëveshja zbatohet.

“Do t’ju duhej të flisni me këto shtete, por kam njëqind për qind shpresë duke u nisur edhe nga vetë përvoja ime kombëtare. Unë jam rritur në një Gjermani të ndarë dhe si Gjermani Perëndimore, nuk e kemi njohur Gjermaninë Lindore.

Por, sapo e kemi arritur marrëveshjen bazë në mes këtyre dy shteteve, të gjitha shtetet të cilat ne i kemi ndaluar ta njohin Gjermaninë Lindore, më pas e kanë njohur Gjermaninë Lindore. Kjo nuk e ka ndryshuar marrëdhënien tonë të brendshme. Të gjitha shtetet mosnjohëse kanë thënë se nëse ka një dinamikë pozitive për normalizim të marrëdhënieve (Kosovë-Serbi), ne do ta rimendojmë pozicionin tonë.

Kështu që, për mua është pak a shumë “slam-dunk” (term që përshkruan një fitore të arritshme lehtë). Nëse keni një rezultat ideal, do të ketë shtete mosnjohëse që do ta njohin Kosovën, jam shumë i sigurt. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ta kalojmë vijën dhe të mos na ikë autobusi, siç kam thënë më parë.”.

Së pari, ne duhet ta kalojmë vijën më 18 [mars, në Ohër] dhe, nga të dyja palët kërkohet gatishmëria për të dhënë më shumë nga vetja: Për Kosovën lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe; për Serbinë, ta pranojë që Kosova është aty dhe se ka një perspektivë evropiane.”

Propozimi, ashtu siç është publikuar, nuk përmend njohje “de jure” nga Serbia. Rohde ka treguar se a mendon se është i mundur normalizimi pa njohje reciproke.

“Të gjithë e kanë bërë të qartë që ky është një hap i ndërmjetëm, por shumë i rëndësishëm sepse nis një dinamikë që çon në normalizim të plotë.

Njohja reciproke është faza përfundimtare për ne, sepse pa njohje reciproke, nuk e shoh ndonjërin vend në BE, sepse ne nuk pranojmë vende që nuk e njohin njëra-tjetrën. Por, tani për tani, kjo është marrëveshja më e mirë që mund ta merrni dhe ka shumë përfitime, të cilat ua përmenda dhe fundi i [tentimeve] që Serbia ta bllokojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.”, përfundoi ai në intervistën për REL.

Leave a Reply