Kapiteni i Anglisë ka kontratë me Bayernin deri në qershor 2027.
Sipas raportimeve, Harry Kane ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij me Bayern Munich që mund të lehtësojë një rikthim të tij në Premier League.
Shumë vetë menduan se 31-vjeçari e kishte mbyllur mundësinë për të thyer rekordin e golave në Premier League të Alan Shearer kur u transferua te Bayern në gusht 2023 për 100 milionë paund.
Sulmuesi anglez firmosi një kontratë katërvjeçare me kampionët gjermanë dhe shënoi 44 gola në 45 ndeshje gjatë një sezoni pa trofe. Aktualisht, ai është golashënuesi më i mirë i Bundesligës.
Por, pavarësisht fillimit të shkëlqyer në Gjermani, rekordi i Shearer mbetet një temë e vazhdueshme diskutimi, pasi Kane është vetëm 47 gola larg tij.
Gjatë prezantimit te Bayerni, Kane foli për këtë çështje, duke thënë:
“Njerëzit do të flasin për rekordin e Shearer, por unë kam ende shumë futboll për të luajtur në karrierën time”.
“Tani për tani, synimi im është të arrij gjëra të mëdha këtu dhe të ndihmoj ekipin të ngjitet në nivele të reja. Kjo është e vetmja gjë ku jam i përqendruar për momentin”, shtoi ai.
Megjithatë, sipas raportimeve të fundit nga gazeta gjermane Bild, Kane kishte mundësinë të aktivizonte një klauzolë lirimi gjatë merkatos së janarit, e cila do t’i lejonte atij të largohej për vetëm 67 milionë paund.

Edhe pse afati i merkatos tashmë ka kaluar, kjo klauzolë do të jetë e vlefshme përsëri në dimrin e ardhshëm. Nëse Kane vendos ta aktivizojë atë sezonin tjetër, ai mund të largohet për vetëm 54 milionë paund.
Pavarësisht këtyre spekulimeve, Kane është i lumtur në Gjermani së bashku me familjen e tij dhe është përshtatur mirë me jetën atje.
Shearer: Nëse Haaland qëndron, do të thyejë rekordin tim
Duke folur për rekordin e golave në Premier League, Alan Shearer komentoi edhe mundësinë që Erling Haaland të thyejë rekordin e tij historik prej 260 golash në ligë.
“Nuk ka dyshim që nëse Erling Haaland qëndron në Angli për pesë ose gjashtë vite të tjera, me ritmin që po ecën, ai absolutisht do ta thyejë atë,” tha Shearer për Betfair.
“Por duhet të presim dhe të shohim; nuk dimë se çfarë do të ndodhë me Manchester Cityn dhe akuzat kundër tyre, apo se sa do të zgjasë qëndrimi i Pep Guardiolës në klub.
“Këto janë pyetje të mëdha, jo vetëm për klubin dhe trajnerin, por edhe për lojtarët që janë aty. Por nëse Haaland qëndron në Premier League, ai absolutisht do ta thyejë rekordin tim”, tha ai.