Haradinaj: Kërkojmë samit disaditor në Amerikë për mbylljen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

0
175

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit ka propozuar disa hapa për të dalë nga situata e krijuar me dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se veprimi i parë që duhet ta bëjë Qeveria e Kosovës është pranimi i kërkesës për shtyerje të vendimit për targa deri në një marrëveshje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Së dyti Haradinaj ka kërkuar dialog intensiv me serbët lokalë për ti kthyer ata në institucione, dialog intensiv të Qeverisë me opozitën dhe së katërti Haradinaj tha se do të kërkojnë samit disaditor në Amerikë deri në përmbylljen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Veprimi i parë është pranimi i kërkesës për shtyerje të afatit për targa deri në marrëveshje. Të bashkohemi në veprimin e parë. Veprimi i dytë që duhet ta marrim të gjithë ne është dialogu me serbët lokal, me dialog intensiv për ti kthyer ata në institucione.

Veprimi i tretë është një dialog intensiv i Qeverisë me opozitën për shkak të gjendjes. Veprimi i katërt që do ta kërkojmë ne në Amerikë është një samit disa ditor deri në përmbylljen e marrëveshjes Kosovës-Serbi, që do ta kërkojmë në mes kryeministrit të Kosovës dhe përfaqësuesit të Serbisë”, tha Haradinaj.

Ai u shpreh se çdo minut që kalon dhe nuk shfrytëzohet momentumi aktual na kushton të gjithëve si shtet.

“Shëtitja nëpër kryeqytetet e Evropës nuk e ndihmojnë gjendjen. Çdo sekond, minut e ditë po na kushton. Askush nuk do të jetë më pak fajtor. Të gjithë do të bartim peshën e pasojave që na takojnë si vend”, u shpreh Haradinaj. /Reporteri.net

Leave a Reply