Flet Kurti: I kuptojmë shqetësimet e partnerëve, çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve

0
145

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtare, por çdo opsion tjetër sipas tij, do ishte mospërmbushje e obligimeve të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”.

Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, “të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake”.

“Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”.

Ndërkaq, ka falënderuar Policinë për veprimet e djeshme në mundësimin e hyrjes së kryetarëve nëpër komunat, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

“Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit”.

Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.

Pas ngjarjeve të premten, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën.

Leave a Reply