Vendimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të implementohet, ka deklaruar të enjten emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online të organizuar nga “Atlantic Council”, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
“Është obligim ligjërisht i detyrueshëm Është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë, Kosovën dhe BE-në dhe për shkak se ne mbështesim dialogun është një angazhim për ne. Pra, po, duhet të zbatohet. Në fakt do të zbatohet”, ka thënë Escobari.
Sipas Escobarit, Qeveria e Kosovës duhet ta shohë këtë “si një mundësi”.
“Ekzistojnë modele në Evropë që sigurojnë të drejtat kolektive për minoritetet. Është tashmë brenda Bashkimit Evropian dhe nëse e shikoni këtë ka një mënyrë për të krijuar mundësi për të dyja shtetet. Tani, nëse nuk merremi me çështjen e asociacionit për këta 70 mijë qytetarë që jetojnë në veri të Kosovës është sfidë e vërtetë. Ata janë në qendër të të gjithë tensionit, konfliktit e konfrontimit, kështu ne duhet të gjejmë modele dhe mënyra që do të ju hyjnë në punë atyre, ata janë shtetas të dyfishtë”, ka shtuar Escobari, duke shtuar se qytetarëve serbë në Kosovë duhet t’u garantohet e gjithë mbrojtja nga institucionet e Kosovës.
“Prandaj them se ata duhet ta shohin këtë, në mënyrë evropiane. Kështu që nëse ne nuk e zgjidhin këtë çështje ne do të jemi në një rreth të përhershëm krizash”, ka deklaruar më tej ai.
Ai ka përsëritur përkrahjen e SHBA-së për Kosovën, duke thënë se asnjë shtet tjetër në botë që përkrah Kosovën më shumë se Amerika.
I pyetur nëse SHBA-ja do të marrë udhëheqjen e procesit të dialogut, Escobari ka thënë se nuk beson që një gjë e tillë do të ndodhë.
“Dialogu duhet të zhvillohet në BE, të dyja shtetet kanë aspirata drejt pranimit në BE. Ne bashkëpunojmë ngushtë me partnerët evropianë”, ka thënë Escobari.
I pyetur nëse ka afat të caktuar për arritjen e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, Escobari ka thënë se do të ishte mirë që një marrëveshje të arrihet “sa më shpejt që të jetë e mundshme”.
“Konflikti i ngrirë s’i përshtatet askujt”, ka shtuar ai./Koha