Hetimet Rajonale në Prizren në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Prokurorin e Shtetit kanë zhvilluar një aksion të hënën, që rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në vepra penale “Fajde” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua është Fitim Shala, 32-vjeçar, nga Mushtishti i Suharekës.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.
Çka thuhet në dosjen kundër tij?
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari që nga muaji shtator i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, “duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës, varfërinë dhe papërvojën e tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari – viktima, A.Z., nuk kishte pasur mundësi t’ia kthejë një borxh në shumën prej 70,000.00 €, të cilin borxh i detyrohej të pandehurit F.Sh., pasi që ky i fundit gjatë muajit Janar të vitit 2024, përmes një programi elektronik të lojërave të fatit, i kishte mundësuar të dëmtuarit të luaj bixhoz të paligjshëm, ashtu që në momentin kur viktima kishte hasur në vështirësi që t’ia paguajë borxhin, i pandehuri arrin ta bindë viktimën që në emrin e tij do të angazhohet dhe t’ia sigurojë paratë, në mënyrë që t’ia krijojë kushtet të njëjtit për kthimin e borxhit.”
Në këtë rast, Shala dyshohet se i ka ofruar viktimës para me fajde – me kamata të paligjshme fillimisht prej 15% pastaj 20% e deri në 25%, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm pasuror, “i cili nuk kishte arritur t’ia paguajë shumën e mbetur të kamatës, gjegjësisht totalin e kamatës nga të gjitha huazimet e të hollave me fajde, që nga periudha e muajit Shtator të vitit 2023, e cila kap vlerën e përgjithshme prej 81,400.00 €.”
32-vjeçari është arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës duke pranuar të holla nga viktima në emër të kamatave të paligjshme me të cilat e kishte ngarkuar të njëjtin./Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.