Dikush po punon për deshqiptarizmin e shqiptarëve të Kosovës: “Patatja shqiptare dhe patatja kosovare!”

0
584

Kanë kaluar rreth 25 vjet nga çlirimi i Kosovës në vitin 1999, që në mediat tona të shkruara dhe audio-vizuale e kemi dëgjuar rrallë e më rrallë fjalën dhe emrin shqiptar, duke u zëvendësuar me fjalën dhe emrin “kosovar”. E tërë kjo të lë përshtypjen sikur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja) të mos kishte luftuar gjatë viteve 1998-1999 për heqjen nga Kosova të Serbisë, por për heqjen nga goja e shqiptarëve të fjalës dhe të emrit shqiptar, fjalë dhe emër ky për të cilët shqiptarët e Kosovës kanë derdhur lumenj me gjak.
Aq shumë është “kosovarizuar” gjithçka në Kosovë sa që vërtetë na ka marr malli, që nga folëset/folësit e disa televizioneve tona në Kosovë, ta dëgjojmë qoftë edhe një herë të vetme fjalën dhe emrin shqiptar!
Puna ka shkuar aq larg sa që në disa televizione tona në Kosovë, thuhet e shkruhet: një mashkull “kosovar” nga ky ose nga ai fshat apo qytet i Kosovës, ka bërë këtë ose atë veprim, ose thuhet e shkruhet: një grua “kosovare” nga ky ose ai vend në Kosovë, ka pësuar dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti i saj.
Pse duhet të thuhet një mashkull “kosovar” ose një grua “kosovare”, kur dihet se ai mashkull ose ajo grua nga ky ose ai qytet i Kosovës, janë banorë të Kosovës edhe pa cilësimin e tyre si “kosovar” ose si “kosovare”?! Dhe pse duhet të thuhet gjinia mashkullore apo femërore e njeriut në fjalë, kur mund të thuhet se një qytetar (që e nënkupton gjininë mashkullore) ose një qytetare (që e nënkupton gjininë femërore) të njeriut për të cilin bëhet fjalë.
Ka shumë vite që jetoj në Zvicër por nuk më ka rënë që në lajmet e televizioneve në gjuhen gjermane ta dëgjoj shprehjen një mashkull “gjerman”, ose një grua “gjermane”, nga ky ose ai qytet i Gjermanisë, ka bërë këtë ose veprim. Dhe nuk më ka rënë rasti që në lajmet e televizioneve në gjuhën franceze, të dëgjoj shprehjen: një mashkull “francez”, ose një grua “franceze”, nga ky ose ai qytet i Francës, ka bërë këtë ose atë veprim, siç ndodh në disa televizione të Kosovës në gjuhën shqipe, që thuhet e shkruhet se një mashkull “kosovar”, ose një grua “kosovare”, nga ky ose ai qytet i Kosovës, ka bërë këtë ose atë veprim.
Dhe puna me “kosovarizimin” e gjithçkaje në Kosovë ka shkuar aq larg, sa që pothuajse në të gjitha mjetet e informimit të Kosovës, thuhet e shkruhet: Qeveria “kosovare”; Kryeministri “kosovar”; Drejtësia “kosovare”; Delegacioni “kosovar”; Ekipi “kosovar”, në vend që të thuhet e të shkruhet: Qeveria e Kosovës; Kryeministri i Kosovës; Drejtësia e Kosovës; Delegacioni i Kosovës; Ekipi i Kosovës e kështu me radhë, në mënyrë që në qendër të vëmendjes të vihet shteti i Kosovës dhe jo “kosvarizmi” si term gjeografik dhe krahinor.
Dhe puna ka shkuar aq larg sa që kur para shumë vitesh në pikën kufitare në Morinë, pati pengesa burokratike për futjen e patateve nga Kosova në Shqipëri, në një medie të Kosovës u fol për “pataten shqiptare” dhe “pataten kosovare”, në kuptimin se “patatja kosovare” ishte më e mirë se “patatja shqiptare” etj.
Të thuash Patatja/patatet e Shqipërisë, kjo është në rregull sepse nënkupton patatet e prodhuara në Shqipëri. Edhe të thuash “Patatja/patatet e Kosovës” është në rregull, sepse kjo nënkupton patatet e prodhuara në Kosovë. Por të thuash “patatja shqiptare” dhe “patatja kosovare” kjo nuk shkon, sepse patatja si patate as nuk “shqiptarizohet” e as nuk “kosovarizohet”.
Kam përshtypjen sikur dikush edhe nëpërmjet të kosovarizimit të gjithçkaje në Kosovë, po punon në heshtje për deshqiptarizimin e shqiptarëve të Kosovës, përkatësisht po punon për tjetërsimin të tyre nga komb shqiptar në “komb kosovar”.
Nuk besoj se mediet e shkruara dhe audio-vizuale të Kosovës, “kosovarizimin” e tillë të gjithçkaje e kanë bërë dhe po e bëjnë me qëllim të deshqiptarizimit të shqiptarëve të Kosovës. Por “kosovarizimi” i tillë i gjithçkaje në Kosovë, edhe kur nuk ka për qëllim deshqiptarizimin e shqiptarëve të Kosovës, ai i zbatuar për kohë të gjatë qon ujë në deshqiptarizmin e shqiptarëve të Kosovës, përkatësisht qon ujë në tjetërsimin e shqiptarëve të Kosovës në “komb kosovar”.
Serbia e do ndarjen e kombit shqiptar në dy kombe: njëri shqiptar dhe tjetri “kosovar”, sepse në përpjekjet e saj (përfshi edhe ato ushtarake) për ripushtimin e Kosovës, nuk do që të përballet me 5-së milion shqiptarë, por do që të përballët vetëm me 2 milion “kosovar”.
Edhe Greqia e do ndarjen e kombit shqiptar në dy kombe: njëri shqiptar dhe tjetri “kosovar”, sepse në përpjekjet e saj (përfshi edhe ato ushtarake) për aneksimin e disa viseve jugore të Shqipërisë, nuk do që të përballet me 5-së milion shqiptarë, por do që të përballët vetëm me 3 milion shqiptarë.
Prandaj është në nderin dhe në ndërgjegjen e bordeve redaktuese të televizioneve dhe të gazetave elektronike të Kosovës, që ti shmangën sa më shumë këtij “kosovarizimi” të tepruar të gjithçkaje në Kosovë, ndër të tjera edhe për ta parandaluar deshqiptarizimin e shqiptarëve të Kosovës, nëpërmjet të tjetërsimit të tyre në “komb kosovar”. Duke qenë kombi shqiptar kombi më i rrezikuar i Ballkanit dhe i Evropës dhe duke qenë i ndarë në gjashtë njësi shtetërore të ndryshme, ai nuk asnjë arsye logjike për tu ndarë në dy kombe, por i ka 1001 arsye që unifikohet dhe të militarizohet sa më shumë jo për famë e për mendjemadhësi, por për ta mbrojtur lëkurën e rrezikuar të tij.
Kush ka sy me pa, vesh për të dëgjuar dhe mendje për të menduar, ai e ka të qartë se kombi shqiptar është kombi më i rrezikuar në Ballkan dhe në Evropë dhe, se si i tillë ka nevojë të jetë komb unik. Kush ka sy e vesh për “syreta” dhe mendje aventuriere, ai kërkon që kombin shqiptar ta ndaj në dy kombe: njëri shqiptar e tjetri “kosovar”.

P.s:
Presidentët serbë Tadiq dhe Vuqiç dhe ministri i jashtëm serb Daçiq, kanë deklaruar se në Kosovë ka komb shqiptar por nuk ka “komb kosovar”. Por kjo deklaratë e tyre është mashtruese sepse ata mendojnë se duke thënë se në Kosovë nuk ka “komb kosovar”, shqiptarët e Kosovës duke qenë sipas tyre naiv dhe primitiv, ata për inat të tyre do të tjetërsohen pikërisht në “kombin kosovar”, duke ia plotësuar kësisoj Serbisë dëshirën e saj për ndarjen e kombit shqiptar në dy kombe: njëri shqiptar dhe tjetri “kosovar”. Por ky eksperiment i presidentëve dhe i ministrit të jashtëm serb do të dështoj, sepse shqiptarët e Kosovës nuk janë as naiv dhe as primitiv, sa që për inat të presidentëve dhe të ministrit të jashtëm të Serbisë, të tjetërsohen pa asnjë arsye logjike në “komb kosovar”.

Shkruan: Xhevat HASANI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here