Dënohet me 30 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e rëndë në Prizren

0
72

Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me 30 vjet burgim A.G.-në, pasi e ka shpallur fajtor për vrasje të rëndë në
një ngjarje të ndodhur më 3 shtator 2023, në lagjen “Arbanë” të Prizrenit.

Sipas aktgjykimit të Departamentit të Krimeve të Rënda, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:45, në rrugën “Çerçiz
Topulli”, pas një zënke të çastit ndërmjet të akuzuarit dhe viktimës B.M.

Në njoftimin e gjykatës është bërë e ditur se, pas përleshjes verbale, i akuzuari ishte larguar drejt shtëpisë së tij, ku
kishte marrë një armë automatike të tipit AK-47, për t’u kthyer më pas në vendin ku ndodhej viktima.

Sipas aktgjykimit, viktima ishte duke ecur së bashku me bashkëshorten, vajzën dhe dy persona të tjerë, kur i
akuzuari kishte mbërritur me automjet dhe kishte shtënë me armë në drejtim të tij.

Gjykata ka konstatuar se, pasi e kishte qëlluar viktimën, i akuzuari i ishte afruar dhe kishte shtënë përsëri në drejtim
të kokës së tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Viktima kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Në aktgjykim është theksuar gjithashtu se, gjatë të shtënave, i akuzuari kishte vënë në rrezik jetën e bashkëshortes
dhe vajzës së viktimës, si dhe të dy personave të tjerë që ndodheshin aty.

Për këto veprime, gjykata e ka shpallur A.G.-në fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe i ka shqiptuar dënim
me 30 vjet burgim.

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjykata ka vendosur vazhdimin e masës ndaj të dënuarit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Ndërkaq, sipas njoftimit të gjykatës, më 16 maj 2024, A.G. ishte shpallur fajtor edhe për dy vepra të tjera penale që
lidhen me të njëjtin rast: mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe asgjësimin apo
dëmtimin e pasurisë. Për këto vepra, atij i ishte shqiptuar dënim me një vit burgim dhe gjobë prej 500 eurosh.