Karim Benzema mund të jetë një nga opsionet e Real Betisit për përforcimin e sulmit para mbylljes së afatit kalimtar. Klubi spanjoll po e monitoron situatën e francezit, por një transferim i tillë do të ishte i mundur vetëm nëse ai ndahet nga Al-Hilal, ku ka kontratë deri në verën e vitit 2027.
E ardhmja e Benzemas në Arabinë Saudite është bërë e pasigurt, pasi Al-Hilal po shqyrton mundësinë e përfundimit të bashkëpunimit me sulmuesin, vetëm pak muaj pasi e mori nga Al-Ittihad. Në rast të prishjes së kontratës, 38-vjeçari do të kishte mundësi të zgjidhte klubin e ardhshëm si lojtar i lirë.
Sipas raportimeve të Elgoldigital, Betisi mund të tentojë transferimin e tij nëse Benzema largohet pa kontratë. Megjithatë, problemi kryesor për klubin spanjoll pritet të jetë paga e lartë e sulmuesit.
Për të bërë të realizueshme marrëveshjen, Benzema do të duhej të pranonte një reduktim të konsiderueshëm të pagës që aktualisht përfiton në Arabinë Saudite.
Para çdo vendimi, duhet të qartësohet pozita e tij me Al-Hilalin. Francezi kërkon të sigurojë pagesat që i takojnë për vitin e fundit të kontratës përpara se të largohet, ndërsa klubi saudit synon të lirojë një hapësirë në skuadër për të sjellë një sulmues të ri.
Një prej futbollistëve që Al-Hilal po e konsideron për repartin ofensiv është Ollie Watkins i Aston Villas. Në ndërkohë, pavarësisht pasigurisë për të ardhmen, Benzema vazhdon të jetë produktiv para portës.
Francezi ka shënuar nëntë gola në 13 paraqitjet e para me Al-Hilalin, ndërsa golin e tij e gjeti edhe në ndeshjen e parë të sezonit të ri të Superligës së Arabisë Saudite, në fitoren 4-2 ndaj Al-Faisalyt.















































