Barrierat për pjesëmarrje të barabartë të grave në tregun e punës në Komunën e Prizrenit

0
293

Sfidat e grave në pjesëmarrje në treg të punës vazhdojnë të jenë të mëdha, si në gjithë Kosovën ashtu edhe në Komunën e Prizrenit. Nga hulumtime të ndryshme gjendja aktuale tregon se afër 70% e grave janë tërësisht jashtë tregut të punës, ndërsa vetëm 16% e tyre janë të punësuara në Kosovë.

Para se të diskutojmë e kërkojmë zgjidhje për pjesëmarrje të barabartë të grave në tregun e punës, duhet të diskutohen e analizohen shkaqet dhe problemet që rezultojnë në këtë, pra cilat janë sfidat kryesore të grave në raport me punësimin. Padyshim se janë disa arsye dhe janë tanimë serioze, e ndër të parat nga ato vazhdon të qëndrojë barra e kujdesit të familjarëve, fëmijëve apo të moshuarve të shtëpisë, duke vazhduar pastaj me punët e shtëpisë e me gjithë barrën e kujdesit ndaj shtëpisë, e cila njihet botërisht si punë e papaguar e grave, kjo e cila automatikisht lë jashtë tregut të punës gratë në Kosovë.

Në sallonin e së martës organizuar në Prizren, me gra aktiviste dhe politikane, nga Demokracia për Zhvillim (D4D) u diskutua detajisht për sfidat dhe barrierat e grave për pjesëmarrje të barabartë në treg të punës, ku u potencuan shumë nga çështjet problematike lidhur me këtë temë, si në botën e biznesit ashtu edhe në profesione tjera, përfshirë këtu edhe sektorin publik. U potencua qartazi se gratë janë të gatshme për të marrë përgjegjësi dhe janë të gatshme për të hyrë në botën e punës, por shumë nga shkaqet lidhen me jetën e tyre si dhe me mendësinë e shumicës së shoqërisë se gratë mund edhe të mos jenë pjesë e tregut apo zhvillimit të karrierës.

Ajo që bashkarisht duhet të dakordohemi, jo vetëm në takime të tilla, por në përgjithësi është se na takon obligimi i përbashkët për të mundësuar që gratë të kenë jetë më të dinjitetshme, të jenë ekonomikisht të pavaruara dhe të kenë drejtë të qasjes në zhvillim, e kjo padyshim nis nga angazhimi në një vend të punës për të cilin ato synojnë. Por, jo të gjitha gratë të cilat kanë vullnet dhe dëshirë e kanë këtë mundësi, pikërisht për këtë arsye duhet të angazhohemi të gjithë për të ndryshuar këtë realitet dhe për tu bërë rrugë për ato të cilat nuk e kanë mundësinë.

Një tjetër problem i cili del gjatë rrugëtimit të qasjes në treg të punës është edhe ndarja e punëve në bazë të gjinisë, pra stereotipizimi i profesioneve dhe punëve të caktuara, poashtu edhe mosbesimi ndaj tyre për shkak të gjinisë. Kjo realisht qëndron ende si sfidë për gratë, duke u nisur nga intervistimi, ku në shumë raste gratë pyeten se a mendojnë të bëhen nëna në një periudhë të ardhshme, apo nëse ato nisin të punojnë kush do të kujdeset për shtëpinë, pastaj edhe deri te disa raste të shumta të largimit nga puna për shkak të një shtatëzanie të një gruaje etj. Këto dhe shumë sfida tjera padyshim lënë shumicën e grave jashtë tregut të punës në Kosovë.

Mbi të gjitha këto sfida dhe probleme të lartëcekura, nuk do të thotë se zgjidhja nuk mund të gjendet, por duhet dakorduar se duhet angazhuar secila pjesë e shoqërisë, gra e burra, organizata jo-qeveritare e nisma të ndryshme, politikë bërës e vendimmarrës.

Për t’i luftuar bashkarisht këto padrejtësi dhe pabarazi në shumë sfera duhet kohë dhe angazhim, por asnjëherë dorëzim ndaj kësaj situate, por vetëm e vetëm ngritje të ndërgjegjësimit dhe pranimit të situatës si të tillë, për një të ardhme më të barabartë për punësim e qasje në punësim të grave në Kosovë.

Shkruan: Tringa KASEMI

Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: “Shfrytëzimi i Zhvillimit: Rritja qasjes së grave në punësim”, i mbështetur nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë

Leave a Reply